Në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një person i akuzuar për drogë ka tentuar të arratiset nga Gjykata. Pamjet e filmuara e tregojnë atë duke u arratisur dhe duke u hedhur nga kati i dytë i gjykatës në drejtim të daljes së jashtme. Christopher Clay Rudd, 35 vjeç theu këmbën, legenin dhe mori një krisje në kafkë gjatë tentativës për tu arratisur.
Ai ishte gjatë ditës së hënë në Gjykatën Spanish Fork Utah nën akuzat për drogë. Në filmimet e videos mund të shohim sesi ai kërceu mbi kangjella dhe më pas u hodh nga kati i dytë i ndërtesës drejt daljes kryesore të Gjykatës, por është ndaluar nga punonjësit e policisë.
Nuk është e qartë nëse Rudd po përpiqej të plagoste veten qëllimisht, tha zëdhënësi i policisë Matt Johnson.
Më 26 prill, Rudd u arrestua për vjedhje, posedim të një arme të rrezikshme dhe akuza të lidhura me drogën. Ai tani mund të përballet me akuza shtesë për t'u përpjekur të arratiset.