Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se ‘koha i dha të drejtë’, duke iu referuar shpalljes ‘non grata’ nga SHBA të deputetit, Aqif Rakipi. Sipas Bashës, Aqif Rakipi, Tom Doshi dhe Vangjush Dako, janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve të cilët sipas tij kërkonin ndryshimin me 25 prill. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha, thekson se kriza në të cilën ndodhet Shqipëria sot, është si pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor. Më tej ish-kryetari i PD-së e cilëson si lajm të mirë, që SHBA është fokusuar në luftën kundër korrupsionit që po minon demokracinë dhe po shkatërron mirëqenien e shqiptarëve.

“Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim. Në argumentimin nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për sanksionet ndaj Aqif Rakipit theksohet:

 ‘Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”. Ky paragraf tregon se si i “fitoi” zgjedhjet Edi Rama në 2017 dhe në 2021.

Kriza në të cilën ndodhet sot Shqipëria, është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor, që dje u konfirmua edhe nëpërmjet sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse këtë duhet ta kishin bërë organet ligjzbatuese shqiptare, ai është një lajm i mirë që partneri ynë strategjik SHBA është fokusuar në luftën kundër korrupsionit që po minon demokracinë dhe po shkatërron mirëqenien e shqiptarëve”, shkruan Basha.

Një ditë më parë (11 prill) ish-deputeti i Elbasanit Aqif Rakipi dhe pronari i mediave Ylli Ndroqi u shpallën ‘non grata’ nga DASH, (Departamenti Amerikan i Shtetit), ndërsa u janë bllokuar të gjitha pronat e tyre në SHBA. Pjesë e listës së zezë ku e kanë të ndaluar të hyjnë në SHBA dhe bllokimit të pasurisë janë edhe pjesëtarët e familjes së tyre të ngushtë.

Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi akuzohen nga SHBA si persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e Shqipërisë përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese të vendit. Për DASH dhe Departamentin e Thesarit sjellje të tilla korruptive minon sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet.

6 ish zyrtarë në Shqipëri janë pjesë e listës së zezë të SHBA nën akuzën e korrupsionit dhe minimit të demokracisë. Më herët pjesë e listës ‘non grata’ janë edhe ish kryeministri Sali Berisha, Tom Doshi, Vangjush Dako, ish kryeprokurori Adriatik Llalla.