SHBA - Amerika është ende e tronditur pas masakrës së 14 dhjetorit në shkollën fillore "Sandy Hook", ku një 20-vjeçar pasi vrau mamanë e tij në shtëpi, vrau më 12 vajza, 8 djem dhe 6 gra të rritura në një shkollë fillore në shtetin e Konektikatit, 80 km në verilindje të New Yorkut. Pasi kreu masakrën Adam Lanza vrau veten.

Ende mbetet e paqartë se çfarë e shtyu Adam Lanzën të vidhte armën e të ëmës dhe të vriste atë dhe më pas nxënës, mësues, psikologen dhe vetë drejtoreshën e shkollës fillore “Sandy Hook” përpara se të vriste veten.

SENATORJA FEINSTEIN: PR/LIGJ QE NDALON ARMET SULMUESE
Senatorja demokrate, Dianne Feinstein tha sot se do të paraqesë një projektligj i cili ndalon armët sulmuese. Senatorja deklaroi se do ta dorëzojë këtë projektligj menjëherë sapo të mblidhet Kongresi i ri në muajin janar.

“Projektligjin do ta paraqes në Senat dhe të njëjtin edhe në Dhomën e Përfaqësuesve – projektligj që ndalon armët sulmuese”, u shpreh Feinstein për televizionin NBC.

E pyetur nëse do të gjente edhe përkrahjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama, ligjvënësja nga Kalifornia tha: “Besoj se po”.

Komentet e senatores demokrate vijnë pas masakrës së të premtes në shkollën fillore në Konektikat, ku 20-vjeçari Adam Lanza vrau me armë zjarri 26 persona, mes tyre 20 fëmijë të moshës 6-7 vjeç. Tragjedia jo vetëm që ka ndezur debatet për ligjin e armëve në Amerikë, por ka shtuar thirrjet për presidentin Obama që krijojë kontroll ndaj armëve.

OBAMA PRITET TE TAKOJE FAMILJET E VIKTIMAVE

Presidenti Barack Obama do të mbërrijë ditën e sotme në qytetin e Newtown për të takuar familjet e viktimave dhe do të marrë pjesë në homazhet që do të zhvillohen në nder të viktimave të vrarë në shkollën fillore "Sandy Hook" të Konektikatit, ku do të mbajë edhe një fjalim.

BABAI I AUTORIT I SHPREH NGUSHELLIMET FAMILJAREVE
Peter Lanza babai i autorit të masakrës së Newtown në Konektikat ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave duke u thënë se edhe ata pyesin veten pse ndodhi kjo tragjedi. Babai i 20-vjeçarit ishte divorcuar nga nëna e Adamit, Nancy në 2009 dhe prej pak kohësh ishte rimartuar.

“Familja jonë është në zi dhe i bashkohet dhimbjes së familjeve dhe miqve për humbjen e njerëzve të tyre të dashur. Familja jonë është në pikëllim, bashkë me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi e madhe. Në të vërtetë asnjë fjalë nuk mund ta shprehë pikëllimin tonë. Ne ende nuk e besojmë dot dhe pyesim veten përse ndodhi e gjithë kjo tragjedi. Ne kemi bashkëpunuar plotësisht me zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë të bëjmë kështu. Ashtu si shumë prej jush, ne jemi të pikëlluar, por duke u përpjekur të kuptojmë atë që kanë ndodhur”, u shpreh babai i Adamit.

POLICIA: 20-VJECARI, PROBLEME NE PERSHTATJEN NE KOMUNITET
Teksa familjet dhe presidenti vajtojnë për tragjedinë e ndodhur mëngjesin e 14 dhjetorit, policia ende po heton për një shpjegim më të plotë të asaj që çuan 20-vjeçarin Lanza që të kryente masakrën. Policia shprehet se ka mbledhur prova "shumë të mira" për motivet e vrasësit. Adam Lanza kishte probleme në përshtatjen në komunitet dhe nëna e tij Nancy e hoqi atë nga shkolla për disa vjet.

Sipas ekspertit të mjekësisë ligjore në shtetin e Konektikatit viktimat kanë vdekur nga plagët me armë zjarri dhe janë qëlluar më shumë se një herë. Vdekjet e tyre janë klasifikuar si vrasje. “Kjo ishte tragjedia më e keqe që kam parë ndonjëherë, të njëjtën gjë do të thoja edhe për kolegët e mi”, u tha Carver gazetarëve.

VANESA, SHQIPTARJA QE I MBIJETOI MASAKRES

Vanesa Baraliu, shqiptare nga Kosova ishte ndodhur në ato momente në shkollën "Sandy Hook" ku ndodhi masakra, por fatmirësisht ka arritur të shpëtojë. Personi i maskuar, i cili më pas u identifikua si Adam Lanza, 20 vjeç me një jelek antiplumb dhe mbante dy pistoleta, vrau veten pasi kreu masakrën në shkollë.

Të shtënat vdekjeprurëse në shkollën fillore kanë prishur qetësinë e qytetit jugor dhe la një komb të përlotur mbi numrin e viktimave, veçanërisht për të rinjtë që humbën jetën. Tragjedia gjithashtu ka rindezur debatin shumëvjeçar lidhur me ligjet e armëve në Amerikë

Zyrtarët e qarkut thanë se klasat do të rifillojnë mësimin të martën, përveç shkollës “Sandy Hook”. Ata janë duke punuar mbi një plan se ku do të qëndrojë kopshti dhe klasa e 4 e shkollës.

IDENTIFIKOHEN VIKTIMAT
1. Charlotte Bacon, 6 vjeç
2. Daniel Barden, 7 vjeç
3. Rachel Davino, 29 vjeç
4. Olivia Engel, 6 vjeç
5. Josephine Gay, 7 vjeç
6. Ana Marquez-Greene, 6 vjeç
7. Dawn Hochsprung, 47 vjeç
8. Dylan Hockley, 6 vjeç
9. Madeleine Hsu, 6 vjeç
10. Catherine Hubbard, 6 vjeç
11. Chase Kowalski, 7 vjeç
12. Jesse Lewis, 6 vjeç
13. James Mattioli, 6 vjeç
14. Grace McDonnell, 7 vjeç
15. Anne Marie Murphy, 52 vjeç
16. Emilie Parker, 6 vjeç
17. Jack Pinto, 6 vjeç
18. Noah Pozner, 6 vjeç
19. Caroline Previdi, 6 vjeç
20. Jessica Rekos, 6 vjeç
21. Avielle Richman, 6 vjeç
22. Lauren Russo, 30 vjeç
23. Mary Sherlach, 56 vjeç
24. Victoria Soto, 27 vjeç
25. Benjamin Wheeler, 6 vjeç
26. Allison Wyatt, 6 vjeç

Shba, viktima Noah Pozner, 6 vjec
(Noah Pozner, 6 vjeç, i vrarë në masakrën në 14 dhjetor)

Lajmi u publikua fillimisht në orën 10:30 (16 dhjetor) dhe u përditësua në orën 22:35 të datës 16 dhjetor

Redaksia Online
(eç/Gre.M/Shqiptarja.com)