Një specialiste e politikës së jashtme, e cila dikur punonte për CIA-n dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, përballet me akuza se ka punuar si agjente e paregjistruar e qeverisë së Koresë së Jugut në këmbim të dhuratave luksoze dhe sendeve të tjera.
Sipas një aktakuze të bërë publike të martën në gjykatën federale të Manhatanit në Nju Jork, Sue Mi Terry përkrahu qëndrimet politike të Koresë së Jugut, u dha punonjësve të zbulimit jugkorean informacione jopublike të qeverisë amerikane dhe mundësoi qasjen e zyrtarëve të Koresë së Jugut tek homologët e tyre amerikanë.
Dyshohet se në këmbim, punonjësit e zbulimit jugkorean i dhanë asaj mallra luksoze, çanta dore dhe rroba të markave të shtrenjta, darka në restorante luksoze dhe më shumë se 37,000 dollarë fonde, gjoja për një program të politikave publike për çështjet koreane që drejtohej nga ajo.
Ajo dyshohet se filloi të punonte si agjente për Korenë e Jugut në vitin 2013, dy vjet pas largimit nga qeveria amerikane, dhe e vazhdoi këtë veprimtari për një dekadë.
Aktualisht ajo punon në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë. Sipas faqes në internet të organizatës, ajo është eksperte për Azinë Lindore dhe Gadishullin Korean, përfshirë Korenë e Veriut.
“Këto akuza janë të pabaza dhe shtrembërojnë punën e një studiueseje dhe analisteje të njohur për pavarësinë dhe vitet e saj në shërbim në Shteteve të Bashkuara”, tha avokati i zonjës Terry, Lee Wolosky, në një deklaratë.
“Faktikisht, ajo ishte një kritike e ashpër e qeverisë së Koresë së Jugut gjatë kohës që akuza pretendon se ajo vepronte në emër të saj. Pasi faktet të bëhen të qarta, do të jetë evidente se qeveria ka bërë një gabim të madh”.
Zyra e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Manhatan, Damian Williams, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Ambasada e Koresë së Jugut në Uashington dhe e akuzuara Terry nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë së lajmeve Reuters për koment. Nuk ka akuza ndaj Koresë së Jugut.
Sipas biografisë së saj në internet, Terry është një mysafire e shpeshtë në TV, radio dhe media të tjera dhe ka dëshmuar disa herë përpara komisioneve të Kongresit.
E lindur në Seul dhe e rritur në Virxhinia, Terry ishte analiste e lartë e CIA-s nga viti 2001 deri në 2008 dhe më pas shërbeu deri në fund të vitit 2009 në një post të lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për çështjet koreane, Japoninë dhe Oqeaninë.
Aktualisht ajo jeton në Nju Jork, sipas biografisë së saj. Ajo akuzohet se kishte dështuar të regjistrohej si agjente e huaj, siç e kërkon ligji federal, dhe përpjekje për të shkelur ligjin.
Sipas aktakuzës, gjatë një interviste vullnetare me FBI-në në qershor të vitit 2023, ajo pranoi se ishte një “burim” për zbulimin e Koresë së Jugut, “që do të thotë se ajo ofroi të dhëna me vlerë”./VOA