KAJRO - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, rikonfirmoi sot se nuk do të ketë koordinim me Damaskun për zhvillimin e sulmeve ajrore amerikane kundër Shtetit Islamik në Siri, por gjithçka do të bëhet për të evituar ndërhyrjet keqdashëse.
"Ne nuk do të koordinohemi me Sirinë. Megjithatë do të përpiqemi të parandalojmë ndërhyrjet dhe të garantohemi se ata nuk do të bëjnë ndonjë gjë për të cilën do të pendohen më vonë", deklaroi Kerry në një intervistë të dhënë në Kajro për kanalin televiziv CBS.
SHBA-ja bombardon Shtetin Islamik në Irak vazhdimisht që prej 8 gushtit për të ndihmuar forcat irakiane dhe kurde të avancojnë. Presidenti Barack Obama autorizoi javën e kaluar sulmet ajrore në Sirir, ku edhe ndodhet baza ajrore e ISIS-it, por për momentin amerikanët ende nuk janë hedhur në veprim.
Sekretari amerikan i Shtetit është në një tur që prej ditës së mërkurë për të krijuar një koalicion kundër Shtetit Islamik sa më të gjerë të mundshëm, dhe nesër në Paris do të organizohet një mbledhje për koordinimin e këtij koalicioni ku aktualisht bëjnë pjese edhe 10 vende arabe përveç evropianëve dhe SHBA-së./ATSH/