SHBA, Kinës: Ndani më shumë informacione për virusin

SHBA, Kinës: Ndani më shumë informacione për virusin

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po i bëjnë thirrje Kinës të ndajë më shumë informacione se si po përhapet koronavirusi i ri i shfaqur në qytetin Wuhan. Virusi ka infektuar më shumë se 4500 njerëz në 18 vende, kryesisht në Kinë. Më shumë se 100 kanë vdekur. Ekspertët kinezë kanë njoftuar se virusi mund të përhapet edhe nga pacientët që nuk shfaqin simptoma. Por zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se nuk dëshirojnë të komentojnë rreth një deklarate të tillë.

"CDC (Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve) nuk i është dhënë mundësia t’i shqyrtojë këto të dhëna," tha Drejtori i Qendrës, Robert Redfield në një konferencë shtypi të martën. "Kinezët besojnë se i kanë ato të dhëna. Shpresa jonë është të jemi në gjendje t'i studiojmë ato dhe të jemi më të saktë."

Nëse pacientët e përhapin virusin pa shfaqur simptoma, kjo kërkon procedura të ndryshme ekzaminimi, tha Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci.

Dr. Fauci tha se pacientët pa simptoma nuk ka gjasa të kenë shumë ndikim në përhapjen e sëmundjes.

"Në të gjithë historinë e viruseve që prekin frymëmarrjen, të çdo lloji qofshin, transmetimi asimptomatik nuk ka qenë kurrë burimi i shpërthimit të sëmundjeve," tha ai.

Zyrtarët kanë identifikuar pesë raste në Shtetet e Bashkuara dhe deri tani asnjë rast transmetimi të sëmundjes nga njeriu te njeriu. Dr. Redfield tha se rreziku për amerikanët aktualisht është i ulët, por beson se do të ketë edhe raste të tjera.

Të gatshëm dhe të aftë

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar të dërgojnë ekspertë në Kinë për të ndihmuar në kontrollin e sëmundjes, por Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha se Pekini nuk e ka pranuar ofertën.

"Ekspertët e CDC janë të gatshëm dhe të aftë të shkojnë në Kinë ose mbi bazën e bashkëpunimit dypalësh ose nën kujdesin e Organizatës Botërore të Shëndetit," tha ai.

OBSH njoftoi në një deklaratë të martën se organizata "do të dërgojë ekspertë ndërkombëtarë për të vizituar Kinën sa më shpejt të jetë e mundur". ((https://www.who.int/news-room/detail/28-01-2020-who-china-leaders-discuss-next-steps-in-battle-against-coronavirus-outbreak))

"Qëndrimi i qeverisë kineze, nivelet e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me ne janë krejtësisht të ndryshme nga ajo që pamë në vitin 2003," kur zyrtarët u përpoqën ta mbulonin shfaqjen e sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (SARS), një sëmundje që shkaktoi gati 800 të vdekur në të gjithë botën, tha Azari. "Dëshiroj t'i lavdëroj ata për këtë."

Sidoqoftë, ai tha, "ne po i bëjmë thirrje Kinës. Më shumë bashkëpunim dhe transparencë janë hapat më të rëndësishëm që mund të ndërmerren për një përgjigje më të efektshme".

Kundërmasat

Nuk ekziston ndonjë trajtim i miratuar për infeksionin koronavirus, por Dr. Fauci thotë se disa kura janë në studim e sipër, përfshirë medikamente që kanë treguar njëfarë efektiviteti kundër virusëve Ebola dhe HIV.

Një vaksinë është në studim e sipër dhe Dr. Fauci shpreson të fillojë provat e para brenda tre muajve të ardhshëm.

Ai paralajmëroi, megjithatë, se "të nisësh provat e Fazës së Parë nuk do të thotë se ke një vaksinë të gatshme për përdorim". Do të duhen disa muaj për të përcaktuar nëse vaksina është e sigurt dhe që të mund të kalohet në testime të tjera. Ai vuri në dukje se kur u konfirmuan rezultatet e provave të para me vaksinën kundër SARS, sëmundja ishte vënë tashmë nën kontroll.

Zyrtarët po ekzaminojnë udhëtarët e ardhur nga Kina në 20 aeroporte të SHBA./ VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale