SHBA/ Kongresi miraton projektligjin për ndalimin e imigrantëve pa dokumente, të akuzuar për vjedhje dhe krime të dhunshme

SHBA/ Kongresi miraton projektligjin për ndalimin e imigrantëve pa dokumente, të akuzuar për vjedhje dhe krime të dhunshme

Kongresi amerikan

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projektligj që parashikon ndalimin nga autoritetet, të imigrantëve padokumente, të akuzuar për vjedhje dhe krime të dhunshme.

Ky mund të jetë dhe ligji i parë që Presidenti Donald Trump mund të nënshkruajë ndërsa Kongresi, me një mbështetje dypartiake, po përparon me shpejtësi në përputhje me planet e zotit Trump për goditjen e emigracionit të paligjshëm.

Projekligji njihet si Akti Laken Riley, studentja e infermierisë nga Xhorxhia, e cila u vra vitin e kaluar nga një shtetas venezuelian, që kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Politika e imigracionit ka qenë shpesh një nga çështjet më të debatuara në Kongres, por një fraksion prej 46 demokratësh iu bashkuan republikanëve duke mundësuar kalimin e projektligjit me 263 vota pro dhe 156 kundër.

"Prej dekadash ka qenë pothuajse e pamundur për qeverinë tonë të binte dakord për një zgjidhje për problemet në kufirin tonë dhe brenda vendit tonë", tha senatorja Katie Britt. Ajo shtoi se ky është "ndoshta projektligji më i rëndësishëm që është miratuar nga Kongresi në gati tre dekada”.

Për zbatimin e projektligji do të kërkohej një rritje masive e kapaciteteve të agjencive të emigracionit dhe doganave, por ai nuk parashikon ndonjë financim të ri.

"Ajo që ai (Presidenti Trump) po bën është fillimi i asaj që do të jetë axhenda jonë legjislative", tha Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve republikani Mike Johnson.

Shumica dërrmuese e amerikanëve janë pro dëbimit të emigrantëve të dënuar për krime të dhunshme, sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Qendra për Kërkime mbi Çështje Publike dhe agjencia ‘Associated Press’.

Megjithatë, vetëm rreth 37% e amerikanëve në moshë madhore janë në favor të dëbimit të imigrantëve në SHBA, të cilët nuk janë dënuar për vepra penale.

"Ndërsa projektligji nuk është i përsosur, ai dërgon një mesazh të qartë se ne mendojmë se kriminelët duhet të deportohen", tha ligjvënësi demokrat Tom Suozzi, i cili i ka bërë thirrje partisë së tij të mbështesë politika më të ashpra ndaj imigracionit.

Ndërkohë, Presidenti Trump ka lëshuar një mori urdhrash ekzekutivë që synojnë mbylljen e kufirit me Meksikën si dhe deportimin e miliona emigrantëve pa status të përhershëm ligjor në SHBA.

Të mërkurën, zoti Trump anuloi programin e refugjatëve dhe administrata e tij ka sinjalizuar synimet për të ndjekur penalisht ata zyrtarë amerikanë të shteteve të ndryshme, që nuk zbatojnë politikat e tij të reja mbi imigracionit./VOA

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 23 Janar, 09:41

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Po mahnit Anglinë, Rocco Vata ndiqet nga Man. United! Drejtoria teknike në FSHF është 'në gjumë'

Po mahnit Anglinë, Rocco Vata ndiqet nga Man. United! Drejtoria teknike në FSHF është 'në gjumë'