SHBA-Emigrantët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë zhvilluar sot një protestë të veçantë, për të treguar rëndësinë e tyre në ekonominë amerikane.

Restorante, bare, dyqane ushqimesh e shumë biznese të tjera kanë qëndruar të mbyllura gjatë ditës së sotme në shenjë solidariteti me emigrantët në New York, San Francisco, Washington, Chicago, Los Angeles dhe Boston.

Ndërkohë emigrantët nga shtet të ndryshme që jetojnë në SHBA, kanë zgjedhur të mos shkojnë në punë,madje as fëmijët nuk kanë frekuentuar shkollën.

Këto masa janë marrë në shenjë proteste ndaj vendimeve te presidentit Trump për të ndërtuar një mur në kufi me Meksikën si edhe për dekretin e tij, ku kufizonte hyrjen e refugjatëve në SHBA.

Sipas AFP-së, ende nuk dihet se sa është numri i protestuesve që kanë marrë pjesë, ndërkohë që organizuesit shprehen se pritet të marrin pjesë mijëra persona.

Gjithashtu bëhet e ditur se janë duke u marrë masa për një organizim më të madh për ditën e Një Majit, e njohur botërisht si festa e punëtorëve.

Kjo formë proteste ka prekur edhe në kryeqytetin amerikan ku një kafe Senati ishte ndër bizneset që qëndruan të mbyllura pasi punëtorët nuk shkuan në punë.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com