SHBA, ligji i ri: Prokurorët mund të ngrenë akuza për ryshfet edhe ndaj zyrtarëve të huaj

SHBA, ligji i ri: Prokurorët mund të ngrenë akuza për ryshfet edhe ndaj zyrtarëve të huaj

Aktivistët që trajtojnë çështje të korrupsionit dhe transparencës qeveritare, thonë se një ligj i ri që lejon prokurorët federalë amerikanë të ngrenë akuza penale kundër zyrtarëve të qeverive të huaja, të cilët kërkojnë ose pranojnë ryshfet, nga kompanitë amerikane, do të mbushë një boshllëk të madh në luftën globale kundër korrupsionit.

Ai që njihet si Akti për Parandalimin e Zhvatjes nga të Huajt (FEPA), pjesë e aktit që parashikon buxhetin dhe shpenzimet për Mbrojtjes Kombëtare, u nënshkrua në ligj nga Presidenti Joe Biden në dhjetor. Ata që kanë mbështetur miratimin e këtij ligji thonë se ai përbën një shtesë shumë të nevojshme ndaj Aktit pothuajse 50 vjeçar mbi Korrupsionin që përfshin zyrtarë të huaj (FCPA). Ky i fundit konsideron vepër penale që shtetas apo kompani amerikane, të paguajnë ryshfet ose të ndikojnë me praktika korruptive tek zyrtarët e huaj.

Qeveria amerikane ngre rregullisht akuza kundër kompanive amerikane bazuar tek Akti mbi Korrupsionin që përfshin zyrtarë të huaj, por deri më tani, e ka patur të pamundur të ndëshkojë, zyrtarët e huaj, që kërkojnë ose pranojnë para si shpërblim.

Ekspertët ligjorë theksojnë se kur bëhet fjalë për korrupsionin ndërkufitar, ekuacioni ka dy anë: ana e "ofertës", ku futen kompanitë dhe individët të gatshëm të paguajnë ryshfet dhe ana e "kërkesës", ku futen zyrtarët e huaj, të cilët kërkojnë ose pranojnë ryshfet. Akti për Parandalimin e Zhvatjes nga të Huajt (FEPA), për herë të parë, e konsideron shprehimisht vepër penale, marrjen e ryshfetit nga zyrtarë të huaj.

 

Dënimet sipas ligjit të ri

Sipas ligjit, prokurorët amerikanë mund të ngrenë akuza kundër çdo "zyrtari të huaj" që kërkon ose pranon ryshfet nga një kompani ose individ që bën biznes në Shtetet e Bashkuara, edhe nëse aktiviteti i paligjshëm ndodh jashtë territorit amerikan.

Ligji parashikon gjoba deri në 250 mijë dollarë, ose trefishin e shumës së ryshfetit të marrë, si dhe deri në 15 vjet burg. Prokurorët do të mund të kërkojnë ekstradimin e individëve të akuzuar sipas ligjit, në rastin e atyre vendeve me të cilët Shtetet e Bashkuara kanë marrëveshje ekstradimi.

Në rastet kur autoritetet amerikane e kanë të pamundur që të kapin një zyrtar të huaj, prokurorët mund të kërkojnë ngrirje të pasurisë së tyre dhe të lëshojnë urdhra që ata të arrestohen, nëse shfaqen në territorin amerikan, ose në një vend të tretë, me një marrëveshje ekstradimi dhe Uashingtonin.

 

Ligji i parë i zbatueshëm

Ne presim që ky të jetë ligji i parë i zbatueshëm i cili synon ndëshkimin e zyrtarëve të huaj në rast se kanë kërkuar apo marrë ryshfet. Pasojat e kësaj do të jenë të mëdha dhe jashtëzakonisht pozitive për një qeverisje të mirë në mbarë botën”, tha Scott Greytak, përfaqësues i organizatës ‘Transparency International’ në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Greytak i tha Zërit të Amerikës se ‘Transparency International’, e cila ka degë në 120 vende në mbarë botën, ka vënë re një reagim pozitiv ndaj ligjit të ri, nga anëtarët e saj. Shumë prej tyre raportojnë se qeveritë e tyre të origjinës, kanë pak kapacitet ose vullnet për të ndjekur penalisht zyrtarët e korruptuar, që do të thotë se për një sasi të madhe të ryshfetit të marrë, ka zyrtarë që mbeten të pandëshkuar.

"Shumica dërrmuese e zyrtarëve të huaj të korruptuar, thjesht po ia hedhin dhe ne i dimë të gjitha pasojat e tmerrshme që ka një gjë e tillë", tha zoti Greytak. Ai përmendi besimin e ulët tek qeveria, paqëndrueshmërinë politike, pabarazinë ekonomike, dëmet tek mjedisi apo rezultatet e dobëta tek shëndeti publik, ndër të tjera.

"Pra ky ligj jep një shpresë reale për ata njerëz që nëse nuk kanë mundësi t’i ndjekin penalisht zyrtarët e tyre të korruptuar është tashmë qeveria e Shteteve të Bashkuara që ka autoritetin t'i ndjekë ata, gjë që do të sjellë potencialisht një ndryshim të madh të situatës", tha zoti Greytak.

 

Përpjekje ndër vite për miratimin e ligjit

Në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës me email, Noah Bookbinder, President dhe Drejtor ekzekutiv i organizatës Qytetarë për Përgjegjësi dhe Etikë me bazë në Uashington, tha se grupi që ai drejton ka mbështetur paraqitjen dhe miratimin e ligjit të ri prej vitesh. Ai shprehu besimin se ligji do të ketë efekte të gjera.

"Akti për Parandalimin e Zhvatjes nga Zyrtarët e Huaj përbën iniciativën më të gjerë e më të rëndësishme të ligjeve të vendit tonë kundër ryshfetit dhe korrupsionit ndër dekada. Korrupsioni i huaj dhe i brendshëm janë të pandashëm dhe lufta kundër njërit është një luftë ndaj të dyjave", tha ai.

"Ne jemi optimistë se ligji do t'i bëjë zyrtarët e huaj të korruptuar të mendojnë dy herë përpara se t’i kërkojnë ryshfet kompanive amerikane", tha më tej zoti Bookbinder.

 

Ndjekjet penale në të ardhmen

Ekspertët thonë se në të ardhmen, ndjekjet penale bazuar tek Akti mbi Korrupsionin që përfshin zyrtarë të huaj mund të shoqërohen me akuza që do të bazohen tek ligji i ri (FEPA).

Për shembull, në vitin 2021, Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza kundër një shtetaseje amerikane, të punësuar nga një agjenci ndërkombëtare birësimi me bazë në Ohio. Aktakuza përfshinte pretendime se ajo u kishte paguar ryshfet një sërë zyrtarëve publikë në Ugandë, mes tyre zyrtarë të shërbimit të provës apo dhe gjyqtarë të gjykatës së lartë, në mënyrë që të lehtësonte birësimin e fëmijëve nga Uganda, për shtetasit amerikanë.

Sipas ‘Transparency International’, nëse kjo aktpadi do të ngrihej sot, përveç akuzave ndaj shtetasve amerikanë, do të mund të ngriheshin edhe akuza kundër zyrtarëve nga Uganda, për pjesëmarrje në këtë skemë.

Në një rast tjetër, Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursës ngriti akuza në vitin 2019 ndaj një kompanie shërbimesh printimi dhe marketingu me bazë në shtetin Uisconsin, për atë që e quajti përfshirje në skema të shumta ryshfeti në Kinë dhe Peru.

Sipas ligji të ri, komisioni do të jetë në gjendje t'i referojë akuzat në Departamentin e Drejtësisë, për ndjekjen penale të shtetasve peruanë e kinezë, që kanë përfituar ryshfet./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor