SHBA/ Ligjvënësi Emmer heq dorë nga kandidatura për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

SHBA/ Ligjvënësi Emmer heq dorë nga kandidatura për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

Ligjvënësi Tom Emmer hoqi dorë të martën nga kandidatura për kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm pak orë pasi mori emërimin nga kolegët e tij republikanë, duke vazhduar përplasjet e brendshme partiake që kanë paralizuar Kongresin për më shumë se tre javë, tha një përfaqësues republikan.

Republikani Emmer, që ka postin e tretë më të rëndësishëm në Dhomën e Përfaqësuesve, siguroi emërimin pas pesë raundesh votimi, por dukej se kishte të paktën 20 vota më pak se 217 të nevojshme për të marrë detyrën e kryetarit, thanë ligjvënësit.

Ai u largua befas nga një takim për emërimin e tij, duke kaluar përkarshi gazetarëve dhe u largua nga ndërtesa pa iu përgjigjur pyetjeve të shtypit.

I përzgjedhuri i katërt republikan për këtë detyrë do ta gjejë veten përballë pasigurive të tre kandidatëve të mëparshëm, në përpjekje për të fituar mbështetjen e një grupi të vogël republikanësh të vijës së ashpër që kanë forcën e votës për të ardhmen e tij.

“Shpresoj se mund të gjejmë një zgjedhje tjetër”, tha Jim Banks, një nga ligjvënësit republikanë që deklaroi se do të votonte kundër zotit Emmer. “Tom Emmer nuk është konservator”.

62-vjeçari Emmer është më i moderuar se shumë republikanë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve. Ndryshe nga shumë në partinë e tij, ai votoi për të certifikuar fitoren e presidentit demokrat Joe Biden në vitin 2020 kundër republikanit Donald Trump mes trazirave të 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit nga mbështetësit e zotit Trump.

Zoti Trump tha se do të ishte një "gabim tragjik" mbështetja e ligjvënësit nga Minesota për postin e kryetarit. “Ai është krejtësisht jashtë kontaktit me votuesit republikanë”, shkroi zoti Trump në rrjetet sociale.

Në fillim të muajit, zoti Trump mbështeti kandidaturën e ligjvënësit të vijës së ashpër Jim Jordan për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Por ai e tërhoqi kandidaturën pas dështimit në tre votime.

Tashmë, republikanët kanë refuzuar dy kandidatë për postin e kryetarit duke e lënë Dhomën e Përfaqësuesve pa drejtues që kur një grup i vogël ligjvënësish shkarkuan nga detyra zotin Kevin McCarthy më 3 tetor./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu