Kandidatët demokratë për president në SHBA po tregojnë vëmendje të madhe ndaj Silicon Valley-t, por këtë herë është ndryshe.
Dikur kandidatët kërkonin të mahnisnin drejtuesit e kompanive të fuqishme si Facebook, Google etj. Tani, disa prej kandidatëve i sulmojnë kompanitë për çështje si privatësia e të dhënave, anti-monopolin dhe të drejtat e punëtorëve.
Stina zgjedhore po reflekton pikëpamjet në ndryshim për sektorin e teknologjisë në mbarë Shtetet e Bashkuara
“Thonë se këto kompani të teknologjisë janë e ardhmja e punëtorisë amerikane. Mendoj se mund të kenë të drejtë. Pra, a dëshirojmë një të ardhme ku nuk do të ketë mbrojtje...”, u shpreh kandidati Pete Buttigieg, gjatë një proteste të shoferëve të kompanisë “Uber”, në San Fransisko.
Kur kandidati për president Pete Butttigieg ndaloi tek një protestë në hyrje të zyrave të qendrore të kompanisë “Uber” në San Fransisko, ai u hodh në sulm ndaj favoritëve të industrisë së teknologjisë.
Dhe ai nuk është i vetmi. Në reklamat e fushatës së kandidates Elizabeth Warren kërkohet ndarja e këtyre kompanive të mëdha dhe premtohet mbrojtja e konsumatorëve dhe konkurencës.
Dikur, kandidatët politikë vinin në Silicon Valley, për të dalë në fotografi me drejtuesit kryesorë të këtyre kompanive. Por tani, kompanitë e mëdha teknologjike janë shndërruar në një 'thes boksi' për disa kandidatë.
Elizabeth Warren thotë se është koha për të copëtuar kompanitë Google, Amazon dhe Facebook.
Bernie Sanders kritikon kompanitë e teknologjisë se asgjësuan gazetarinë dhe se kontribuojnë për praktikat e gabuara të kontrollit.
Kamala Harris, vetë nga Kalifornia, u është bashkuar të tjerëve që kërkojnë më shumë të drejta për punonjësit kontraktorë, duke kundërshtuar kështu interesat e kompanive si Uber dhe Lyft.
Për momentin, ekziston një ndasi mes drejtuesve të teknologjisë dhe njerëzve të zakonshëm.
Drejtuesit e kompanive teknologjike po kontribuojnë me fonde për kandidatë që nuk po krijojnë shumë problem, si p.sh. Senatori nga Nju Xhersi, Cory Booker, apo kandidati kryesor, ish-Nënpresidenti Joe Biden.
Megjithatë, punonjësit e teknologjisë dhe familjet e tyre po dhurojnë për fushatën e Elizabeth Warren dhe Pete Buttigieg.
Kompanitë e teknologjisë do të shqyrtohen edhe më shumë në muajt në vazhdim, ndërsa kandidatët për president, si dhe Presidenti Donald Trump, vazhdojnë të sulmojnë këto kompani për çështje që prekin votuesit amerikanë.