SHBA, May: Kujdes nga Putin!
Trump: Nuk e njoh këtë zotërinë!

SHBA, May: Kujdes nga Putin!<br />Trump: Nuk e njoh këtë zotërinë!
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka qenë e para lidere shtetërore që është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i ri amerikan, Donald Trump, i cili vetëm një javë më parë mori detyrën. 

Presidenti Trump gjatë konferencës së përbashkët me shefen e ekzekutivit britanik ka folur për marrëdhëniet e SHBA-së me Meksikën.

Ai ka insistuar që vendi i tij “nuk mund të vazhdojnë të humbasë biznese”, pasi kompanitë dhe miliona njerëz janë duke e humbur vendet e punës.

Ne nuk do të jemi më shteti që nuk e di se çfarë bënë, prandaj do t’i rinegociojmë marrëveshjet tona tregtare”, ka thënë Trump. 

Trump dhe May kanë rënë gjithashtu edhe për rishikimin e marrëveshjeve tregtare mes dy vendeve.



Ndërsa duke u ndalur te politika globale, ata kanë folur edhe për sanksionet ndaj Rusisë. Kryeministrja britanike ka qenë e prerë në qëndrimin e saj se sanksionet nuk do të hiqen, ndërsa ka paralajmëruar Trump që të ketë kujdes nga Putin. 

Me presidentin Putin, këshilla ime është “angazhohuni, por keni kujdes”, ka thënë May. 

Ndërkohë, Trump ka thënë se ai dëshiron bashkëpunim më të madh me Rusinë në çështje si lufta kundër terrorizmit dhe çështjen e Sirisë, duke sugjeruar se ai mund të heqë sanksionet që administrata e Obamës ia ka vendosur Moskës si reagim ndaj aneksimit të Krimesë.

Në anën tjetër, Trump ka theksuar se është shumë herët që të flitet për heqjen e sanksioneve Rusisë. Ai i është përgjigjur Mayt se nuk e njeh atë (Putinin). 

Nëse mundemi që të kemi marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, me të gjitha shtetet, unë jam për këtë. Nuk e njoh atë zotëriun (Vladimir Putin), shpresoj se do të kemi marrëdhënie fantastike. Kjo është e mundur, por e mundur është që edhe mos të jetë ashtu”, ka thënë Trump.

May megjithatë ka shtuar se "nuk ka asgjë të paevitueshme në konfliktin në mes të Rusisë dhe perëndimit, por ka paralajmëruar se po aq lehtë mund të kthehemi në ditët e Luftës së Ftohtë".

Por, ne duhet të angazhohemi me Rusinë nga një pozicion i fuqisë, dhe ne duhet të ndërtojmë marrëdhëniet, sistemet dhe proceset që e bëjnë bashkëpunimin më të mundshëm se sa konfliktin”, ka thënë ajo. 

May para ligjvënësve republikanë në Filadelfia, flet për Kosovën
Përkushtimi britanik për ruajtjen e paqes edhe në Kosovë është një nga arsyet pse kryeministrja britanike, Theresa May mendon që vendi i saj mund të krenohet në përballjen me sfidat e sigurisë.

Kjo është arsyeja pse Britania është vend udhëheqës, krahas Shteteve të Bashkuara, i koalicionit që punon me sukses për mundjen e Daeshit (grupit Shteti Islamik), arsyeja pse ne jemi pajtuar që të dërgojmë 800 trupa në Estoni dhe Poloni si pjesë të pranisë së shtuar të NATO-s në Evropën lindore…dhe arsyeja pse ne e kemi shtuar përkushtimin tonë në operacionet paqeruajtëse në Kosovë, Sudanin Jugor dhe Somali”, ka thënë May derisa iu drejtohej me fjalim ligjvënësve republikanë në Filadelfia të SHBA-së.

Presidenti i ri amerikan, Donald Trump ka shqetësuar disa vende evropiane kur deklaroj se NATO është e “vjetëruar”, ndërsa ka kritikuar ashpër vendet anëtare të saj që nuk e kanë plotësuar kushtin e investimit të 2 % të Bruto Prodhimit Vendor në sektorin e mbrojtjes.

Kësaj deklarate duket se i bënte jehonë edhe shefja e qeverisë britanike.

Ditët kur Britania dhe Amerika kanë intervenuar në vendet sovrane në përpjekje për t’i ribërë ato sipas mënyrës tonë, kanë përfunduar. Por, ne s’mund të përballojmë që të qëndrojmë pa reaguar kur kërcënimi është real, dhe kur është në interesin tonë të intervenojmë”, ka thënë May.

May tha se kritikat për vendet e NATO-s qëndrojnë, por vlerësoi se liritë e siguruara nga SHBA dhe Britania për Evropën lindore, duhet mbrojtur.

“Ne nuk duhet të rrezikojmë liritë që presidenti Reagan dhe ish kryeministrja britanike Margaret Thatcher ia kanë sjellur Evropës Lindore duke e pranuar pretendimin e presidentit rus Putin se tani ajo pjesë është zona e tij e ndikimit”, ka thënë shefja e qeverisë britanike.

Gjatë fjalimit të saj që disa herë është ndërprerë nga duatrokitjet entuziaste të republikanëve amerikanë, shefja e qeverisë britanike ka kaluar jo pak kohë duke këshilluar ata sidomos në raport me Rusinë.

Kur është fjala për Rusinë, shpesh është punë e mençur të kujtosh shembullin e presidentit Ronald Reagan, i cili gjatë negociatave me liderin sovjetik, Mikhail Gorbachev, i është përmbajtur fjalës së urtë, “beso, por verifiko”, ka thënë kryeministrja britanike.

Me presidentin Putin, këshilla ime është “angazhohuni, por keni kujdes”, ka thënë May.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Këmbimi i të burgosurve: Faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi

Këmbimi i të burgosurve: Faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi