Pas vendimit të Gjykatës në SHBA për të ndaluar abortin, mijëra protestues janë mbledhur përpara Kapitolit, por edhe në qytete të tjera të Amerikës, për të kundërshtuar vendimin. Autoritetet përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit jashtë Kapitolit, pasi goditën me gurë xhamat e ndërtesës.
"Ushtarët përdorën gaz lotsjellës pasi një turmë protestuesish goditën vazhdimisht dyert e xhamit të ndërtesës së Senatit të Shtetit," tha për CNN zëdhënësi i Departamentit të Sigurisë Publike të Arizonës, Bart Graves.
Më pas turma u zhvendos nëpër rrugë në Wesley Bolin Plaza, ku policia përdori gazin lotsjellës pasi një monument u vandalizua.
Protestat vijnë pasi Gjykata e Lartë amerikane i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese gati 50 vjeçare për abortin, një vendim i shumicës së saj konservatore për të përmbysur çështjen historike Roe kundër Wade.
Vendimi i së premtes pritet të çojë në ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve amerikane. Vendimi, i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ishte kulmi i përpjekjeve prej disa dekadash të kundërshtarëve të abortit, i mundësuar nga një krah i guximshëm i djathtë i gjykatës që është forcuar nga tre anëtarët e saj të emëruar nga ish-presidentit Donald Trump.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden i cili e ka cilësuar vendimin mizor dhe po aq ekstrem sa një grua të mbajë një fëmijë që është pasojë e incestit apo e abuzimeve sekuale. Ndër të tjera, Biden ka kërkuar që Sekretari i Shëndetësisë të sigurojë që gratë të mund të marrin pilula aborti dhe ilaçe të tjera të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Këtë e ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë përmes një shënimi.
Çështja historike e vitit 1973 Roe kundër Ëade pa që Gjykata e Lartë vendosi me një votim 7 me dy se e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë e saj mbrohej nga kushtetuta e SHBA. Vendimi u jepte grave amerikane të drejtën absolute për një abort në tre muajt e parë (tremujorin) e shtatzënisë, por lejoi kufizime në tremujorin e dytë dhe ndalime në tremujorin e tretë. Por, në dekadat që nga ajo kohë, vendimet kundër abortit kanë frenuar gradualisht aksesin në më shumë se një duzinë shtetesh.
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë amerikane aktivistët kundër abortit po festojnë. Ky institucion i dha fund mbrojtjes kushtetuese gati 50-vjeçare për abortin duke hedhur poshtë çështjen historike “Roe kundër Wade”.
“Ne jemi këtu për të festuar. Jemi shumë të gëzuar me vendimin e gjykatës. Është diçka për të cilën kemi luftuar për dekada”, thotë një aktiviste kundër të drejtës së abortit.
Në një reagim menjëherë pas vendimit, presidenti Joe Biden i bëri thirrje Kongresit të miratojë një ligj federal që mbron të drejtën grave për të abortuar.
“Ishin tre gjykatës të emëruar nga Presidenti Donald Trump, të cilët me vendimin e sotëm eleminuan një të drejtë themelore për gratë në këtë vend. Me këtë vendim, shumica konservatore e Gjykatës së Lartë tregon se sa ekstreme është. Sa larg janë ata nga shumica e këtij vendi”, tha Presidenti Biden.
Sondazhi i fundit nga organizata “Gallup” tregon se besimi tek Gjykata e Lartë ka rënë në nivelin më të ulët, në 25%.
Gjykatësi konservator Samuel Alito, i emëruar nga ish-Presidenti George W. Bush, në opinionin përfundimtar të lëshuar të premten shkruante:
“Kushtetuta nuk i referohet abortit dhe asnjë e drejtë e tillë nuk mbrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga asnjë dispozitë kushtetuese”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pasi shqyrtoi një ligj të shtetit të Misisipit që ndalon shumicën e aborteve, pas javës së 15-të të shtatzënisë.
Me vendimin e fundit Gjykata e Lartë mbështi ligjin e Misisipit.
“Shtetet duhet të vendosin nëse do të lejojnë apo ndalojnë abortin”, thuhet në opinionin e Gjykatës së Lartë amerikane.
“Janë rreth 13 shtete që kanë masa kufizuese për abortin dhe që menjeherë do të bëjnë ligje që të ndalojnë abortin plotësisht. Në përgjithësi, rreth 26 shtete mund ta ndalojnë praktikisht abortin”, thotë Elizabeth Beske, nga Universiteti Amerikan.
Vendimi i fundit mund t’i detyrojë gratë të shkojnë në shtete të tjera për të kryer abort. Rreth 15 shtete pritet të garantojnë të drejtën për abort. Mbrojtësit e abortit e shohin vendimin si një sulm ndaj të drejtave riprodhuese dhe privatësisë.
“Do të punoj që abortet të mos ndalen”, thotë Helen Luryi, aktiviste për të drejtat e abortit.
“Do të luftojmë duke zgjedhur më shumë gra në Kongres, në organet legjislative të shtetit në këshillin e qytetit. Gra që i kuptojnë çështjet dhe do të jenë në vijën e parë për të miratuar ligje për ta hedhur poshtë këtë vendim të tmerrshëm”, thotë ligjvënësja demokrate Carolyn Maloney.
Aktivistët kundër abortit thonë se vendimi i fundit është një “fitore për jetët njerëzore”
“Do të luftoj për të drejtat e grave. Si eksperte ligjore jam shumë e shqetësuar për këtë, por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që flasim për jetë njerëzore. Ata janë qënie humane e kanë të drejta gjithashtu, kështu që ne duhet të gjejmë një mënyrë për të mbrojtur gratë, por edhe të drejtat themelore të këtyre fëmijëve”, thotë Theresa Brennan.
Vendimi nga Gjykata e Lartë erdhi rreth një muaj pas rrjedhjes së opinionit paraprak që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të ndërmarrë këtë hap. Ndërkohë disa shtete në të gjithë vendin kanë nisur të ndryshojnë me ligj qasjen ndaj abortit./VOA
Pas vendimit të Gjykatës në SHBA, ku u ndalua abortit, klinikat që ofrojnë këtë shërbim kanë filluar të mbyllen. Rreth gjysma e shteteve pritet të vendosin kufizime ose ndalime të reja pasi gjykata rrëzoi vendimin e saj 50-vjeçar Roe kundër Wade. 13 shtete e kanë ndaluar abortin menjëherë pas vendimit.
Në një klinikë aborti në Little Rock, Arkansas mbylli dyert për pacientët sapo u mor vendimi. Stafi i klinikës telefonoi pacientet dhe iu tha se takimet e tyre ishin anuluar.
"Pavarësisht se sa fort përgatitemi për një lajm të keq, në fund godet, godet fort. T'i telefonosh këta pacientë dhe t'u thuash atyre se Roe kundër Wade u përmbys është zemërthyese," tha infermierja Ashli Hunt për BBC.
Në New Orleans, Luiziana, Qendra e Kujdesit Shëndetësor të Grave, një nga vetëm tre ofruesit e abortit në shtet, u mbyll dhe stafi i saj kishte shkuar në shtëpi. Jashtë klinikës, Linda Kocher i tha BBC-së se gratë e pasura do të jenë ende në gjendje të kryejnë aborte në shtete të tjera, por "gratë e varfra do të përfundojnë në një rrugicë " dhe do kryejnë abort të jashtëligjshëm.
Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të nënkuptojë se rreth 36 milionë gra në moshë riprodhuese do të humbasin aksesin ndaj abortit në shtetet e tyre, sipas hulumtimit nga Planned Parenthood, një organizatë e kujdesit shëndetësor që ofron aborte.