Vazhdojnë mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe kreditorëve ndërkombëtarë dhe një marrëveshje është ende larg, konfirmoi sot zëdhënësi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në një konferencë shtypi.

“Ka ende mosmarrëveshje të mëdha mes nesh në sektorët kryesorë dhe nuk ka pasur asnjë progres për japërcimin e këtyre mosmarrëveshjeve të fundit. Ne jemi ende shumë larg një marrëveshjeje”, konfirmoi Gerry Rice duke shtuar se autoritetet greke po përgatiteshin për propozime të reja.

Ai nënvizoi se FMN-ja nuk do të largohej kurrë nga tryeza e negociatave, por që topi ishte tashmë në fushën greke.

Sipas Rice, mosmarrëveshje kryesore ekzistojnë në reformën e sistemit të pensioneve, taksat dhe financimin e shpenzimeve publike.

Ai konfirmoi se organizimi aktual i sistemit të pensioneve ishte i paqendrueshëm dhe se duhej zgjeruar baza tatimore nëse Greqia dëshiron të rivendosë financat publike.

Këto deklarata u bënë ndërkohë që negociatorët grekë dhe kreditorët (FMN, Banka Qendrore Evropiane dhe Bashkimi Evropian) po përpiqen të arrijnë në një marrëveshje që do të shmangte Greqinë nga dështimi i pagesave në fund të muajit.

Marrë nga ATSH