SHBA, nëna koleksioniste
mësoi 20-vjeçarin të qëllonte

CONEKTIKAT- Amerika është ende nën shok pas masakrës së 14 dhjetorit në shkollën fillore "Sandy Hook", ku një 20-vjeçari pasi vrau mamanë e tij në shtëpi dhe më pas vrau 12 vajza, 8 djem dhe 6 gra të rritura në një shkollë fillore në shtetin e Konektikatit, 80 km në verilindje të New Yorkut, më pas vrau veten.

20-VJEÇARI MESOI TE QELLONTE NGA E EMA
Adam Lanza, autor i masakrës në Konektikat ka pasur një "zënkë" me katër punonjësit e shkollës Sandy Hook Newtown, një ditë më parë se të shkonte atje dhe të masakronte 26 personat, përfshirë 20 fëmijë. Zyrtarët e Konektikatit thanë se tre prej këtyre punonjësve u vranë, ndërsa i katërti, i cili nuk ishte në punë dje, tani është duke u marrë në pyetje nga policia. Vrasësi i ri kishte mësuar të qëllonte nga nëna e tij. Nancy, gruaja, e cila u vra dje nga djali në shtëpinë e tij para se të shkonte në shkollë për të kryer masakrën ishte një koleksioniste e madh dhe e pasionuar pas armëve dhe njëra prej tyre është përdorur nga ai kur kreu masakrën në shkollën fillore.

Kopshtari i familjes Lanza, Dan Holmes ka treguar për Daily News se “gruaja shkonte shpesh në poligonin e qitjeve me fëmijët e saj.
Më tej kopshtari tregon se gruaja ishte shumë krenare për arsenalin e armëve që koleksiononte dhe madje një herë i kishte treguar një pushkë që sapo e kishte blerë.

Masakra në Newtown, të Konektikatit, është masakra e katërt në 5 muaj që kanë tronditur SHBA-në dhe nxënësit e shkollës fillore publike, "Sandy Hook School", ku studionin  rreth 450 fëmijë të moshës 5-10 vjeç, janë viktimat me moshë më të vogël.

NJË VAJZË SHQIPTARE E KOSOVËS I SHPËTOI MASAKRËS
Në shkollën "Sandy Hook School" ku ndodhi masakra ka qënë edhe një vajzë 9 vjeçare shqiptare e Kosovës e cila i ka shpëtuar masakrës.  Mërgim Bajraliu 17 vjeç në profilin e tij në facebook tregonte se kishte qenë në shtëpi kur dëgjoi krismat dhe më pas shkoi në shkollë me mamanë e tij.  Bajraliu tha se motra e tij Vanesa Bajraliu 9 vjeç nuk është lënduar dhe tani gjendet në shtëpi.

“Isha në leksionin e artit,dëgjuam rreth 20 të shtëna, mësuesja na mbylli derën. Pastaj shkuam në zyrën e saj dhe kërkoi që të njoftohet policia. Dëgjonim të shtëna, dhe të bërtitura. Pashë një polic- shumë polic në korridorin e shkollës me armë. Na morën dhe na nxorrën përjashta. Na thanë të mbanin njëri tjetrin për dore dhe të mbyllnim sytë. I hapëm vetëm kur ishim jashtë. Isha e frikësuar, të gjithë dridheshim."- dëshmoi Vanesa për mediat amerikane.




INTERVISTE ME MERGIMIN, VELLAIN E VANESES

Si jeni tani Mërgim, si është familja jote?
Tani jemi mirë. Jemi pak të frikësuar por në përgjithësi mirë jemi tani.

Çfarë ka ndodhur Mërgim? Kur i ke dëgjuar të shtënat dhe çfarë ka ndodhur?
Në mëngjes dëgjuam të shtënat e armës dhe menjëherë shkuam tek shkolla, bashkë me mamin. Kur vajtëm tek shkolla pamë shumë policë dhe e kuptuam që kishte ndodhur një problem shumë i madh.

Ti i ke dëgjuar në shtëpi të shtënat? Shtëpia është afër shkollës?
Po po afër shkollës, dy minuta larg është.

Vanesa ka qenë në shkollë?

Po, në shkollë.

Doli e sigurt nga shkolla?
Po po doli. Kur mbërritëm aty pas 20 minuta doli nga shkolla. Në ato momente pamë 3 fëmijë që ishin të plagosur, një fëmijë ishte i mbuluar me gjak në fytyrë. Dy të tjerët nuk lëviznin fare. Shumë katastrofë ishte

Çfarë ka treguar Vanesa nga ajo që ka ndodhur brenda në shkollë?
Vanesa ishte në një klasë dhe kur kishin dëgjuar të shtënat ishin futur në një dhomë të vogël me mësuesen dhe aty ndejtën. Kur dolën nga shkolla Vanesa tha që kishte shumë policë dhe ata u kishin thënë t’i mbyllin sytë se kishte shumë gjak dhe shumë fëmijë të plagosur.

A është mirë Vanesa?
Mirë është, është pak e trembur po mirë.

A ka të tjerë shqiptarë nga Kosova në këtë shkollë?
Me aq sa di unë nuk ka, po mbase dhe ka. Nuk jam i sigurt 100 %.

Ti ke qenë në njëjtën shkollë?
Po kam qenë para 10 vitesh. Kam pasur të njëjtë mësuese dhe nuk e di akoma si janë, a janë mirë.

Ka pasur ndonjëherë të tilla shqetësime?

Jo jo asnjëherë, as në shkollë, as në komunitet. Akoma nuk e besojmë që ka ndodhur. Është e pabesueshme sepse ne jemi një komunitet shumë i vogël.




MERGIM BAJRALIU: ISHTE SHUME TRAGJIKE
Mërgim Bajraliu, 17-vjeçari shqiptar tregon momentet sesi kishte vrapuar drejt shkollës ku mësonte dhe motra e tij 9 vjeçare. “Dëgjuam të shtëna, sirena dhe bashkë me nënën time vrapuam drejt shkollës për të parë se çfarë po ndodhte. Kur mbërritëm 3 fëmijë dolën nga shkolla. Njëri prej tyre kishte fytyrën me gjak. Ata ishin shumë të zbehtë dhe të tmerruar. Ishte shumë tragjike. Unë me mami filluam të qanim” - tha Mërgim Bajraliu në një dëshmi dhënë një televizioni amerikan.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ndiqni intuitën dhe mos kini frikë të merrni vendime të guximshme... Çfarë thonë yjet për ju sot

Ndiqni intuitën dhe mos kini frikë të merrni vendime të guximshme... Çfarë thonë yjet për ju sot