SHBA/ Një gjykatë apeli bllokon përkohësisht rregullin e administratës Biden për vaksinim të detyrueshëm

SHBA/ Një gjykatë apeli bllokon përkohësisht rregullin e administratës Biden për vaksinim të detyrueshëm

Foto nga protesta kundër vaksinimit me detyrim në SHBA

Një gjykatë federale e apelit në SHBA bllokoi përkohësisht të shtunën rregullin e administratës së presidentit Biden, sipas së cilit punonjësit në kompanitë amerikane me të paktën 100 vetë duhet të vaksinohen kundër COVID-19 ose të testohen çdo javë, duke përmendur probleme "të mëdha statutore dhe kushtetuese" me këtë rregull.

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Pestë në New Orleans vjen pasi shumë shtete të udhëhequra nga republikanët ndërmorën sfida ligjore kundër rregullit të ri, i cili do të hyjë në fuqi më 4 janar.

Në një deklaratë, juristja e Departamentit të Punës, Seema Nanda tha se Departamenti ishte "i sigurt në autoritetin e tij ligjor" për të lëshuar këtë rregull që do të zbatohet nga Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA).

"Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë i jep qartë autoritetin OSHA-s për të vepruar shpejt në rast urgjence kur agjencia konstaton se punëtorët janë nën një rrezik të madh dhe është i nevojshëm një standard i ri për t'i mbrojtur ata," tha ajo. "Ne jemi plotësisht të përgatitur për ta mbrojtur këtë standard në gjykatë."

Qëndrimi vjen dy ditë pasi administrata Biden bëri publik rregullin, i cili u përball menjëherë me sfidat për veprime ligjore nga guvernatorët republikanë dhe të tjerë, të cilët argumentuan se ai tejkalonte autoritetin ligjor të administratës.

Urdhri i gjykatës i së shtunës erdhi si përgjigje ndaj një peticioni të përbashkët nga disa biznese, grupe interesi dhe shtetet e Teksasit, Luizianës, Misisipit, Karolinës së Jugut dhe Jutas. Rregulli po përballet gjithashtu me sfida të veçanta ligjore përpara gjykatave të tjera.

Urdhri prej dy faqesh i kërkon administratës Bidenit që t'i përgjigjet kërkesës për ta anulluar në mënyrë të përhershme rregullin deri të hënën pasdite./ VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Koha për të përforcuar marrëdhëniet duke treguar ndjenjat me sinqeritet, horoskopi për sot

Koha për të përforcuar marrëdhëniet duke treguar ndjenjat me sinqeritet, horoskopi për sot