SHBA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin edhe formalisht opozitën siriane si të vetmen përfaqësuese legjitime të popullit. Presidenti Barack Obama në një intervistë për rrjetin televiziv ABC News vlerësoi se Koalicioni Kombëtar tanimë është përfshirës, reflektues dhe përfaqësues.

Më herët të njëjtin veprim e kanë ndërmarrë edhe shtete të tjera të fuqishme si Britania e Madhe, Franca apo Turqia. Paralelisht me deklarimet për njohjen zyrtare, Obama nuk nguroi edhe të paralajmërojë se sëbashku me njohjen vijnë edhe përgjegjësitë.

"Ata duhet të bëjnë maksimumin për t’u organizuar në mënyrën e duhur, për të përfaqësuar të gjitha palët drejt një tranzicioni politik që do të respektojë të drejtat e grave dhe të pakicave", u shpreh Obama.

Njohja e koalicionit opozitar, siç njofton rrjeti ABC nuk do të thotë automatikisht edhe furnizim me armë për grupet rebele por ndihmë për të arritur një zgjidhje politike.

Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin elementët ekstremist në koalicionin opozitar.

"Jo të gjithë ata që bëjnë pjesë në grupin përballë Assad janë njerëz me të cilët ne ndjehemi rehat. Disa prej tyre kanë zbatuar një axhendë ekstremiste, një axhendë anti-amerikane dhe ne distancohemi prej këtyre elementëve", nënvizoi Obama.

Njëri prej grupeve të cilëve ai ju referua ishte al-Nusra Front i cili besohet se është i lidhur me organizatën al-Qaeda dhe ka marrë përgjegjësinë e 600 sulmeve të dhunshme në zona të ndryshme të Sirisë.

(lc/Gre.M/Shqiptarja.com)