Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar goditjen e anijeve të narkotikëve në Karaibe, ndërsa aeroplanmbajtësja Ford mbërrin përpara brigjeve të Venezuelës. Një përshpejtim i asaj që sekretari i Mbrojtjes, Hegseth, e ka quajtur “Operation Southern Spear”, e cila duket gjithnjë e më shumë se synon rrëzimin e qeverisë së Nicolas Maduros.

Lufta kundër narkotikëve

Ushtria amerikane vrau dje edhe katër persona të tjerë të akuzuar nga administrata Trump për trafik droge nëpërmjet detit, sipas zyrtarëve të Pentagonit. Ky sulm e çon në 80 numrin total të viktimave që nga nisja e fushatës në shtator. Kreu i Pentagonit, Hegseth, shkroi më pas në rrjetet sociale se ofensiva kundër narkotikëve do të quhet “Operacioni Shtiza e Jugut”. Ai e justifikoi kështu: “Ky mision mbron Atdheun tonë, largon narkoterroristët nga hemisfera jonë dhe na mbron nga droga që po vret popullin tonë. Hemisfera perëndimore është lagjja e Amerikës dhe ne do ta mbrojmë atë.”
Në këto orë, aeroplanmbajtësja Ford ka arritur në detin e Karaibeve, prej nga mund të ndërmarrë sulme në territorin venezuelian.

Apeli i Venezuelës

Maduro reagoi në një intervistë për CNN, duke bërë apel ndaj qytetarëve amerikanë që t’i bashkohen Karakasit për të garantuar paqen në kontinentin amerikan. Jorge Rodríguez, presidenti i Parlamentit të Venezuelës, paralajmëroi për “pasoja të pallogaritshme” nga një luftë e mundshme në Karaibe, duke denoncuar kërcënimin që paraqet dislokimi ushtarak.

Departamenti i Drejtësisë: Sulmet janë të ligjshme

Ndërkohë, memorandumi i zyrës ligjore të Departamentit të Drejtësisë, me mbi 40 faqe, duket se i ofron Trump-it një bazë ligjore për veprimet e tij. Bombardimet e ditëve të fundit, të cilat u kanë marrë jetën tashmë 80 personave dhe të konsideruara të paligjshme nga pikëpamja juridike, ishin kritikuar ashpër nga opinioni publik. Megjithatë, në një shënim sekret të Departamentit të Drejtësisë, të raportuar nga New York Times, thuhet se Shtetet e Bashkuara janë në luftë kundër karteleve të narkotikëve, dhe për këtë arsye, sulmet ndaj anijeve të urdhëruara nga administrata konsiderohen të ligjshme.

//La Repubblica