SHBA njofton planet për një dozë të tretë të vaksinës anti-COVID

SHBA njofton planet për një dozë të tretë të vaksinës anti-COVID

Foto ilustruese

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë njoftuan të mërkurën planet për të ofruar një dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 për të gjithë amerikanët për të rritur mbrojtjen e tyre nga virusi mes rritjes së rasteve me variantin e tij më ngjitës Delta dhe shenjave se efektiviteti i vaksinave po bie.

Plani, i njoftuar nga drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe autoritetet e tjera të larta, bënë thirrje për një dozë shtesë tetë muaj pasi njerëzit të kenë bërë dozën e dytë të vaksinës Pfizer ose Moderna. Dozat mund të fillojnë të merren më 20 shtator.

"Plani ynë është të mbrojmë amerikanët, të qëndrojmë një hap përpara këtij virusi", tha Drejtorja e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky.

Personat që janë imunizuar me një dozë të vaksinës Johnson & Johnson gjithashtu do të kenë nevojë për një dozë përforcuese, thanë zyrtarët shëndetësorë. Por ata thanë se janë duke pritur për më shumë të dhëna për këtë vaksinë.

Plani i përgjithshëm do t’i nënshtrohet një vlerësimi të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve për sigurinë dhe efektivitetin e një doze të tretë dhe shqyrtimit të një paneli këshillues të CDC-së.

Zyrtarët thanë se është "shumë e qartë" që mbrojtja e vaksinave kundër infeksionit me Covid-19 dobësohet me kalimin e kohës, dhe ata vunë re se Izraeli ka filluar të shohë një rritje të infeksioneve mes njerëzve të vaksinuar. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i paraprijnë problemit para se përhapja e tanishme e Covid-19 të bëhet vdekjeprurëse, të mbingarkojë spitalet dhe të shkaktojë vdekje midis të vaksinuarve.

Dr. Mark Mulligan, i qendrës së shëndetit Langone në Universitetin e Nju Jorkut, e përshëndeti njoftimin duke e cilësuar atë një përgjigje "proaktive" ndaj shenjave se efektshmëria vaksinës po dobësohet ndërsa varianti shumë më ngjitës delta i koronavirusit po përhapet.

Shkencëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e kundërshtuan ashpër planin amerikan, duke vënë në dukje se vendet e varfra ende nuk po marrin sasi të mjaftueshme të vaksinave për dozat e para.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë vunë në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar 115 milionë doza vaksinash për 80 vende, më shumë se të gjitha vendet e tjera së bashku. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara kanë sasi të mjaftueshme vaksinash për të ofruar doza përfocuese për popullin amerikan.

Izraeli tashmë është duke ofruar doza përforcuese për banorët e tij mbi 50 vjeç për të kontrolluar përhapjen e variantit delta. Edhe rregullatorët evropianë të ilaçeve thanë se po bisedojnë me prodhuesit e vaksinave për çështjen e një doze të tretë përforcuese.

Javën e kaluar, zyrtarët shëndetësorë amerikanë rekomanduan një dozë përforcuese për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, si pacientët me kancer dhe ata që kanë bërë transplantim të organeve. Ofrimi i një doze përforcuese për të gjithë amerikanët do të ishte një zgjerim i madh fushatës tashmë më të madhe të vaksinimit në historinë e Shteteve të Bashkuara./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Hapa pas për titullin, Klopp: U kërkoj falje tifozëve

Hapa pas për titullin, Klopp: U kërkoj falje tifozëve