WASHINGTON- Bill Clinton dhe disa prej figurave më të njohura amerikane do të marrin “Medaljen e Lirisë” nga presidenti Barak Obama.
 
Çmimi është nderimi më i lartë civil amerikan, i cili jepet për çdo vit që prej 1963 me urdhër të presidentit John Kenedy, për personat që i kanë përparuar idealet e lirisë, demokracisë dhe barazisë.
 
Clinton, president i SHBA-s nga 1993-2001, është vlerësuar për punën e tij në “Fondacionin Klinton” dhe përpjekjet globale për të promovuar shëndetësinë dhe për të forcuar ekonomitë.
 
Po ashtu Benjamin Bradlee do të marrë këtë medalje, i cili ka qenë redaktori ekzekutiv i “The Washington Post” gjatë skandalit Watergate që rrëzoi Presidentin Richard Nixon në vitet 70.
 
Në mesin e personave që do të nderohen me këtë çmim është Oprah Winfrey, ikona e emisioneve televizive amerikane si dhe Gloria Steinem një shkrimtare e njohur dhe aktiviste për barazinë e grave.
 
Të tjerë që përfshihen në listë janë gjykatësja Patricia Wald, 84 vjeç, e para grua, që shërbeu në Gjykatën e Apelit Federal të Washington-it si dhe politikanë, atletë e muzikantë.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)