WASHINGTON - SHBA-ja është gati të dërgojë 300 këshilltarë ushtarakë për të stërvitur, asistuar dhe mbështetur forcat irakiane përballë xhihadistëve, njoftoi sot presidenti Barak Obama, i cili u shpreh pro sulmeve të shënjestruara nëse do të jetë e nevojshme.

"Këta këshilltarë, shumica të dalë nga forcat speciale, nuk do të jenë trupa që do të shkojnë në luftim", paralajmëroi ai duke shtuar se "me mjetet amerikane të përgjimit tashmë të vendosura në Irak, Uashingtoni do të jetë gati për një veprim ushtarak të shënjestruar dhe të saktë nëse dhe kur ne të vendosim se situata në terren e kërkon këtë veprim".

Nga ana tjetër presidenti amerikan i kërkoi krerëve irakianë të përfshijnë të gjitha komunitetet që përbëjnë vendin në procesin politik për t'iu përgjigjur kërcënimit xhihadist sunit.

"Nuk na takon neve të zgjedhim krerët irakianë", kritikon Obama gjatë një konference për shtyp, i cili do të dërgojë sekretarin e Shtetit John Kerry në rajon për të biseduar për një zgjidhje të konfliktit me krerët e Lindjes së Mesme./ATSH/

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)