SHBA- Ka arritur në së paku 64 numri i të vdekurve nga stuhia "Sandy" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miliona amerikanë ende vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike dhe transporti i paralizuar.

Gjithsesi, vetëm një javë para votimeve presidenciale kandidatët Barack Obama dhe Mitt Romney po i rikthehen fushatës.

Presidenti në detyrë planifikon takime elektorale në Nevada, Colorado dhe Wisconsin. Të mërkurën ai ishte në New Jersey i shoqëruar nga guvernatori republikan Chris Christie. Nga rreth gjashtë milion shtëpi dhe biznese që vuajnë mungesën e energjisë, 1/3 e tyre janë në New Jersey.

Ndërkaq, kandidati republikan Mitt Romney parashikon të mbajë takimet elektorale në Florida për të vazhduar tendencën pozitive që pati në javët e fundit sa i takon mbështetjes popullore. Sfida zgjedhore është kokë më kokë ndërsa amerikanët do duhet të hedhin votën më 6 nëntor.

Një sondazh i kryer së fundi nga "Washington Post dhe ABC" tregon se tetë nga dhjetë të pyetur i japin Obamës një vlerësim të mirë ose të shkëlqyer sa i takon menaxhimit të emergjencës.

New York-u ka nisur ta marrë veten me ngadalë që prej të mërkurës. New York Stock Exchange rihapi dyer pas dy ditësh mbyllur njësoj si bursa e Nasdaq. Një pjesë e akseve rrugore pritet të vihen në funksionim duke nisur nga dita e sotme ndërsa shumë shërbime të transportit rrugor me autobus kanë filluar punën. Problem mbetet ende tuneli që lidh New Jersey-n me New York City.

(eç/shqiptarja.com)