UASHINGTON, 21 dhjetor /ATSH-AFP/ - Presidenti amerikan, Barack Obama deklaroi se sulmi kibernetik i kryer sipas Uashingtonit nga Koreja e Veriut kundër kompanisë "Sony Pictures" ishte një akt vandalist dhe jo një akt lufte, në një intervistë dhënë sot për televizionin CNN.
"Jo, nuk mendoj që ky të jetë një akt lufte. Mendoj që ky është një akt vandalist që ka kushtuar shumë. Ne do ta marrim shumë seriozisht", deklaroi presidenti Obama, sipas disa pjesëve të kësaj interviste në kuadër të çështjes për sulmin kibernetik masiv kundër "Sony"-t në fund të muajit nëntor.
Presidenti amerikan, Barack Obama premtoi dje se SHBA-ja do të reagonte kundër Koresë së Veriut për sulmin më të rëndë kibernetik të kryer ndonjëherë në territorin amerikan, gjë që Pheniani e ka hedhur poshtë menjëherë.
FBI njoftoi dje se Koreja e Veriut kishte kryer një sulm informatik të konsiderueshëm kundër kompanisë kinematografike "Sony" në fund të muajit nëntor.
"Ata kanë shkaktuar shumë dëme dhe ne do të përgjigjemi. Ne do të përgjigjemi me masa të përshtatshme, në kohën, vendin dhe mënyrën që do të zgjedhim", theksoi presidenti amerikan në një konferencë shtypi duke përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit të ndonjë vendi tjetër me Phenianin./
/ec/












