FLORIDA -Presidenti Barack Obama dhe sfidanti i tij republikan Mitt Romney u përballën mbrëmjen e djeshme (22 tetor) në debatin e tretë dhe përfundimtar televiziv. Për 90 minuta dy rivalët për Shtëpinë e Bardhë diskutuan mbi pranverën arabe, Iranin dhe rritjen e fuqisë së Kinës. Sondazhi i rrjetit CNN/ORC tregon se 48% e të pyeturve mbi debatin favorizuan Obamën krahasuar me 40% të kishin si zgjedhje Mitt Romneyn. Një tjetër sondazh i CBS nxori fitues të qartë Barack Obamën.

Dy rivalët diskutuan mbi Pranverën Arabe, programin bërthamor të Iranit, rritja e Kinës dhe për tema të tjera në një debatin prej 90 minutash kokë me kokë.

Lidhur me çështje të tjera, si tregtia me Kinën, Romney u zotua të jetë më i ashpër se sa presidenti Obama, nëse zgjidhet president. Të dy kandidatët u angazhuan në replika rreth mënyrës se si administrata e trajtoi sulmin kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë. Ish guvernatori i Massachusetts, Romney e kritikoi Obamën se nuk ka një strategji të qartë për ndalimin e dhunës në Lindjen e Mesme.

"Unë e përgëzoj presidentin Obama për vrasjen e Osama bin Ladenit dhe ndjekjen që po i bën udhëheqjes së al-Kaidës, por ne nuk mund të humbasim rrugën tonë nga kjo rrëmujë", theksoi Romney. Sipas tij SHBA-të duhet të kenë një strategji shumë të plotë dhe të fuqishme për të ndihmuar botën Islame dhe pjesë të tjera të botës që kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm radikal që sigurisht nuk është shuar.

Të dy kandidatët shprehën mbështetje për lidhje të forta amerikane me Izraelin dhe shfaqën kundërshti për ndërhyrjen ushtarake amerikane në Siri. Romney tha se bie dakord me idenë për të tërhequr trupat nga Afganistani në vitin 2014 ndërsa republikanët më parë sugjeronin të kundërtën.

Mbi Iranin, zoti Obama tha se administrata e tij ka treguar forcën duke zbatuar sanksione të vështira, më të dëmshmet ndonjëherë ndaj Republikës Islamike. Romney tha se bota është katër vjet më afër një Irani bërthamor, duke shtuar se udhëheqësit e Iranit panë dobësi aty ku ata pritet të shohin fuqinë amerikane. Obama e Romney tanimë kanë dy javë kohë deri në 6 nëntor për të fituar besimin e amerikanëve.
(bm/dm/shqiptarja.com)