Nancy VanHorn është takuar me kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, ku diskutoi se mbështetja e SHBA-ve për institucionet e drejtësisë shqiptare çon përpara prioritetet e Trump. Sipas deklaratës nga ambasada amerikane, prioritetet janë çmontimi i rrjeteve të narkotrafikut dhe kushte të barabarta për bizneset amerikane.

Më tej, thuhet se Gjykata Kushtetuese  garanton drejtësinë për qytetarët shqiptarë dhe ruan një sistem ligjor të drejtë e të parashikueshëm për lulëzimin e bizneseve amerikane.

"Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe diskutoi se si mbështetja afatgjatë e Shteteve të Bashkuara për institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri çon përpara prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane. Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë", thuhet në deklaratë.

Ditën e diel, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u takua gjithashtu me Papajorgjin, ku u theksua roli kyç i Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe në forcimin e sundimit të ligjit.