SHBA/ Prokurori Bragg ngre padi ndaj ligjvënësit Jim Jordan: Ndërhyri në hetimin ndaj Trump

SHBA/ Prokurori Bragg ngre padi ndaj ligjvënësit Jim Jordan: Ndërhyri në hetimin ndaj Trump

Donald Trump

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, ngriti paditi ndaj ligjvënësit Jim Jordan të martën, një veprim që synon të ndërpresë një hetim të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, që prokurori Bragg pretendon se është një "fushatë transparente për ta frikësuar dhe sulmuar" atë lidhur me padinë e tij ndaj ish-presidentit Donald Trump. Demokrati Alvin Bragg i ka kërkuar një gjykatësi që të shfuqizojë thirrjet e ligjvënësit republikan Jim Jordan, kryetar i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, që ai i ka lëshuar ose planifikon t’i lëshojë në kuadër të një hetimi mbi ngritjen e akuzave penale ndaj ish-presidentit Trump.

Padia e prokurorit Bragg kërkon t'i japë fund asaj që ai thotë se është një "ekspeditë peshkimi me pasoja shkatërruese për kushtetutën" që kërcënon sovranitetin e një prokurorie të nivelit shtetëror.

"Kongresit i mungon një arsyetim i vlefshëm legjislativ për t'u përfshirë në një fushatë të lirë ngacmimi në shenjë hakmarrjeje për hetimin dhe ndjekjen penale të zotit Trump nga Prokurori i Qarkut, të bazuar në ligjet e Nju Jorkut", thuhet në padi, duke përmendur mungesën e autoritetit të Kongresit në Kushtetutë për "të mbikëqyrë, e lëre më të pengojë, çështjet penale në shqyrti, të bazuara në ligjet e një shteti".

Ligjvënësi Jim Jordan reagoi përmes një postimi në Twitter, ku thuhet: "Së pari, ata ngrejnë padi ndaj një presidenti për asnjë krim. Më pas ata ngrenë padi në përpjekje për të bllokuar mbikëqyrjen nga Kongresit." 

Komisioni Juridik i dërgoi së fundmi thirrje për të dëshmuar ish-prokurorit Mark Pomerantz, i cili më parë mbikëqyrte hetimin ndaj ish Presidentit Trump dhe u grind me prokurorin Bragg mbi drejtimin e hetimit përpara se të largohej nga zyra vitin e kaluar. Komisioni Juridik ka kërkuar gjithashtu dokumente dhe dëshmi nga zyra e Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut, por prokurori Bragg i ka kundërshtuar këto kërkesa. Komisioni Juridik pritet të mbajë një seancë dëgjimore në Manhattan të hënën mbi krimin në qytetin e Nju Jorkut dhe ato që ai pretendon se janë politika "pro krimit, kundër viktimave" të prokurorit Bragg. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Qarkut ka publikuar statistika që tregojnë se ka patur një rënie të krimeve të dhunshme në Manhattan që nga janari i vitit 2022, kur zoti Bragg mori detyrën.

Prokurori Bragg përfaqësohet në padi nga Theodore Boutrous, një avokat i njohur i Amendamentit të Parë të Kushtetutës, i cili gjithashtu ka përfaqësuar mbesën zotit Trump, Mary Trump, në përplasjet ligjore me xhaxhain e saj të famshëm.

Në padinë e tij, prokurori Bragg thotë se po ndërmerr veprime ligjore "në përgjigje të një sulmi të paprecedentë dhe antikushtetues nga anëtarët e Kongresit ndaj një ndjekjeje penale dhe hetimi në vazhdim të shtetit të Nju Jorkut ndaj ish-presidentit Donald J. Trump".

Ish-presidenti përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit në Nju Jork, për të fshehur pagesat për një aktore të filmave pornografikë, që kishte informacione të dëmshme rreth tij, përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës. Ai është deklaruar i pafajshëm. Republikanët kanë kritikuar prokurorin Bragg edhe përpara ngritjes së akuzave ndaj zotit Trump, me ligjvënësin Jim Jordan që lëshoi një sërë thirrjesh për të dëshmuar në Kongres për individët e përfshirë në këtë çështje.

Padia e prokurorit Bragg krijon një luftë mbi shtrirjen dhe kufijtë e kompetencave mbikëqyrëse të Kongresit. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë argumentuar se për shkak se çështja e Nju Jorkut përfshin financimin e fushatës dhe atë që prokurorët thonë se ishte një komplot për të minuar integritetin e zgjedhjeve të 2016-ës, Kongresi ka kompetenca për mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të çështjes./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda