Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur një propozim- rezolutë në Këshillin e Sigurimit për ashpërsimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut.

Propozimi i sanksioneve të reja ka ardhur për shkak të programit të saj raketor, i cili është ndaluar ne disa rezoluta të mëparshme të OKB-së.

Sanksionet e reja ndaj Koresë së Veriut do të diskutohen ditën e sotme në Këshillin e Sigurimit dhe pritet që masat e reja ndaj Koresë së Veriut të mbështeten edhe nga Rusia dhe Kina.

Për miratimin e sanksioneve të reja duhen një minimum prej 9 votash.

Në kërkesën e sanksioneve është përfshirë ndalesa e eksportit të qymyrit, hekurit, plumbit dhe produkteve të detit nga ana e Koresë së Veriut, gjë e cila pritet t’i ulë të ardhurat e Phenianit nga tre miliardë në dy miliard dollarë.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com