SHBA-ja kanë regjistruar një shifër rekord të vdekjeve nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 3.927 persona, shifra më e lartë që prej nisjes së pandemisë, duke e çuar në 342.259 numrin total. Ndërsa rastet ditore janë 189.671 të infektuar të rinj sipas të dhënave të Johns Hopkins University.
Rritja e të infektuarve vazhdon në një kohë kur në vend ka filluar vaksinimi që prej 14 dhjetorit. Por ekspertët e shëndetsisë kanë theksuar se duhet kohë deri sa të arrihet imunizimi i popullsisë.
Edhe eksperti amerikan i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci është shprehur se Amerika mund të arrijë imunitet të mjaftueshëm kolektiv ndaj COVID-19 përmes vaksinimeve për të rifituar “një farë normaliteti” deri në vjeshtën e 2021. Ndërkohë sa i përket edhe shfaqjes së variantit britanik në SHBA, Fauci tha se ai “nuk ishte i befasuar”, duke shtuar se raste shtesë të variantit ka të ngjarë të shfaqen në të gjithë vendin dhe se natyra mutante e viruseve të tilla është normale.
“Duket se ky mutacion i veçantë e bën virusin më të mirë në transmetim nga një person tek tjetri”, tha ai.
Eksperti ka theksuar ndër të tjera se i ashtuquajturi variant i Mbretërisë së Bashkuar besohet të mos jetë më i rëndë në sëmundjen që shkakton dhe se vaksinat e sapo aprovuara ndaj COVID-19 do të jenë po aq efektive kundër tij sa kundër formave të njohura më parë të virusit.