SHBA: Rritje e bitcoin pas zgjedhjeve - Premtimi i Trumpit

SHBA: Rritje e bitcoin pas zgjedhjeve - Premtimi i Trumpit

Donald Trump

Monedha më e vjetër dhe e njohur digjitale bitcoin u rrit vrullshëm në fillim të javës në bursa mbi 80.000 dollarë. Ky është kursi më i lartë, që ka arritur ndonjëherë kriptomonedha. Por çfarë fshihet pas kësaj? Një faktor vendimtar është zgjedhja e Donald Trump president i ri i SHBA-së. Kësisoj që nga 4 nëntori bitcoin është rritur në mënyrë konstante.

"Donald Trump ka deklaruar, se do te jëtë president i kriptomonedhës dhe se SHBA do të luajë një rol pararojë në sektorin e bitcoin", thotë Jonas Gross, kryetar i Digital Euro Association – një organizatë, që angazhohet për sistemet digjitale të pagesave.

Të tilla premtime i kanë bërë deri më sot vetëm presidentët e vendeve si El Salvador. E pra nuk është habi, që komuniteti bitcoin është i entuziazmuar tani.

Ndonëse në mandatin e tij të parë presidencial Trump është shprehur negativisht për bitcoin, përpara zgjedhjeve 2024 ai bëri një kthesë. Në një konferencë të madhe të bitcoinit në Nashville p.sh. ai premtoi, se do të vazhdojë ta lerë të parregulluar tregun e kriptomonedhës dhe do të kujdeset për energji të lirë.

Prodhimi i bitcoinave (mining) të reja dhe mbajtja e rrjetit në funksion, përmes të cilit regjistrohen transaksionet e shumta (blockchain), kërkon shumë energji. Bitcoins të reja gjenerohen, ndërkohë që kompjuteri zgjidh detyra llogariteje. Për këtë janë të nevojshme sasi të mëdha llogaritjesh, gjë që konsumon shumë energji.

Hop i ri për bitcoin
Drejtori i qendrës Blockchain i School of Finance and Management në Frankfurt, Co-Pierre Georg, konsideron se rritja e kursit të bitcoin ka të bëjë kryesisht me "arsye strukturore, që u përforcuan me zgjedhjet në SHBA". Georg bën fjalë për licencat që u dhanë në janar për Bitcoin-ETFs, përmes të cilave janë thjeshtuar dukshëm investimet me bitcoin.

ETF është akronimi për Exchange-Traded-Funds - "fondet e tregtuara në bursë". Me ETFs krijohen dhe indekset e aksioneve ashtu si indeksi gjerman i aksioneve DAX. Me bitcoin-ETF ofruesit e ETF blejnë bitcoin. Investitorët me blerjen e kuotave marrin pjesë në zhvillimin e kursit të bitcoin, pa iu dashur të blejnë vet bitcoin.

Qysh atëherë është derdhur shumë para përmes ETFs në bitcoin, thotë eksperti i Blockchain, Georg. Kjo do të thotë rrjedhimisht, që kryesisht depozituesit institucionalë, si p.sh. administruesi më i madh në botë i pasurive BlackRock kanë invetsuar në bitcoin. Por nga ana tjetër në bursat kripto si Coinbase, Bitpanda ose Kraken nuk ka rritje qenësore të interesit.

Sipas Jonas Groß në këtë rritje rekord bëhet fjalë kryesisht për atmosferë dhe besim – ashtu si edhe në tregjet e tjera. Në dhjetë vitet e fundit industria ka qenë në fokus të kryeartikujve për raste mashtrimesh. "Eshtë dashur pra një arsye për të rikuperuar imazhin dhe për ta rivënë në lëvizje makinerinë." Premtimi i Trumpit tani i ka dhënë sërish një frymë pozitive bitconit.

Elon Musk dhe lobi i bitcoinit
Një ndër kundërshtarët kryesorë të komunitetit bitcoin deri tani ka qenë shefi i entit të mbikqyrjes së bursave në SHBA, SEC, Gary Gensler. Ai do që ta rregullojë tregun e monedhës digjitale. Pritet tani që Donald Trump do të bëjë përpjekje për ta ristrukturuar këtë institucion. Kësisoj Gary Gensler do të hasë në pengesa. Ndonëse ai nuk mund të zëvendësohet me një tjetër në post, do të ketë përpjekje për ta kapur atë konkretisht në gabime.

Drejtori i Blockchain-Centers tek fitorja e Trumpit sheh edhe një fitore të lobit të bitcoins. "Tani duket se industria kripto ka blerë influencën ndaj qeverisë dhe kongresit të ri." Me këtë ai ka parasysh shefin e Teslas, Elon Musk, i cili e preferon bitcoin dhe ka mbështetur masivisht fushatën e Trumpit. Po ai ka parasysh edhe shumë politikanë të tjerë, që janë mbështetur nga kjo degë.

Sipas agjencisë reuters, gati 120 milionë dollarë nga industria kripto janë derdhur në fushatën e Trumpit.

Dikur rritjet e bitcoin shpjegoheshin me faktin, se sipërmarrje të mëdha e pranonin kriptomonedhën si mjet pagese, si p.sh. shërbimi i pagesave Paypal në vitin 2020. "Të tilla arësye nuk shoh për momentin", thotë Georg.

"Bitcoin është tërësisht e papërshtatshme në qarkullimin e pagesave dhe po ashtu nuk mund të jetë depozitë e qendrueshme. Arsyeja e vetme për të blerë bitcoin, është spekulative."

Ndërsa Jonas Groß nga Digital Euro Association mendon, se aktualisht ka mjaft faktorë themeltar për bitcoin.

"Bitcoin është etabluar si një klasë e re depozitash. Ndërkohë kanë nisur të investohen fondet e parat ë pensioneve dhe për mendimin tim është vetëm çështje kohe, derisa të ketë edhe fondet e para shtetërore. E kur të arrihet kjo do të thotë se kemi të bëjmë me parametra të një nivel krejt tjetër."

Megjithatë çdo investim në bitcoin është me risk dhe tregjet me kurset e larta tani e kanë mbivlerësuar premtimin e Trumpit. "Nëse ai nuk do ta mbajë këtë premtim, kurset natyrisht do të bien sërish." "Për bitcoin gjithmonë ka vlejtur rregulli, që duhet të investosh vetëm atë që je i gatshëm ta humbasësh tërësisht", thotë Pierre Georg. Një parashikim lidhur me qendrimin e Trumpit ndaj bitcoin është tani "sikur të hedhësh fall"./ DW

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Nafta derdhet lumë në Kuçovë, por institucionet bëjnë një sy qorr

Nafta derdhet lumë në Kuçovë, por institucionet bëjnë një sy qorr