SHBA sanksione për korrupsion bashkëpunëtorit më të afërt të Kryeministrit hungarez Orban

SHBA sanksione për korrupsion bashkëpunëtorit më të afërt të Kryeministrit hungarez Orban

Antal Rogan

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një zyrtari të lartë të qeverisë hungareze për akuzat për korrupsion, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Thesarit, një masë që Budapesti tha se do ta ankimojë kur të marrë detyrën Presidenti i zgjedhur Donald Trump.

Akuzat për korrupsion dhe nepotizëm e kanë shoqëruar Kryeministrin Viktor Orban që kur erdhi në pushtet në vitin 2010, ndërsa marrëdhëniet e Budapestit me Uashingtonin janë përkeqësuar gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të ngrohta të Budapestit me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë.

Kryeministri Orban i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion. Sanksionet u vendosën ndaj Antal Roganit, një bashkëpunëtor i afërt i Orban, që ka mbajtur detyrën si shef kabineti që nga viti 2015, shkruan Reuters. 

Rogan ka qenë një person i afërt me Orban prej dekadash, duke drejtuar makinerinë mediatike të qeverisë dhe duke ndihmuar për fushatat e tij zgjedhore. Ai aktualisht mbikëqyr edhe shërbimet sekrete të Hungarisë, një vend anëtar i NATO-s.

Departamenti amerikan i Thesarit e akuzon Rogan se ka shfrytëzuar rolin e tij për të siguruar përfitime financiare për veten dhe aleatët politikë.

“Personat e lidhur ngushtë me partinë politike në pushtet kanë përfituar një perandori të ardhurash”, tha gjatë një konference për shtypin ambasadori amerikan në Hungari, David Pressman. “Antal Rogani është arkitekt kryesor, zbatues dhe përfitues i këtij sistemi korrupsioni”.

Ambasadori Pressman ka qenë një kritik i hapur i qeverisë Orban gjatë mandatit të tij në Budapest, duke e kritikuar ashpër për forcimin e marrëdhënieve me Rusinë.

Kabineti i Orban, i drejtuar nga Rogan, e hodhi poshtë vendimin duke e cilësuar si “hakmarrjen e fundit, të vockël të ambasadorit amerikan - të pasuksesshëm dhe në largim”.

“Pas 20 janarit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë një qeveri të re dhe një president të ri. Pas inaugurimit të tyre, do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme ligjore”, thuhet në një deklaratë të qeverisë hungareze, të dërguar nëpërmjet postës elektronike.

Kryeministri Orban dhe partia e tij Fidesz kanë qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj në Evropë të Presidentit të zgjedhur Trump, i cili do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj pesë zyrtarëve të qeverisë bullgare, me akuza për korrupsion.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 13:30

    Deri në 700 kWh ulet me 1 lekë çmimi i energjisë për familjet, si ju duket?



×

Lajmi i fundit

Pse Janari konsiderohet si muaji më stresues i vitit

Pse Janari konsiderohet si muaji më stresues i vitit