Në një njoftim për shtyp, Departamenti i Thesarit tha se janë sanksionuar 21 individë dhe nëntë subjekte nën autoritetet ekzistuese, duke përfshirë zyrtarët e qeverisë ruse dhe kompanitë ruse të lidhura me projektet në gadishullin e diskutueshëm të Krimesë.
Agjencia gjithashtu i sanksionoi udhëheqësit e lartë të dy grupeve separatiste ukrainase, Republikës Popullore të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luhanskut, si dhe personave dhe subjekteve që thuhet se u kanë dhënë atyre mbështetje materiale.
"Qeveria e SHBA është e angazhuar për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe për të synuar ata që përpiqen të minojnë marrëveshjet e Minskut”, tha në një deklaratë sekretari i Thesarit Steve Mnuchin.
“Ata që ofrojnë mallra, shërbime apo mbështetje materiale për individët dhe subjektet e sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara për aktivitetet e tyre në Ukrainë mund të përballen me sanksione të SHBA’së", theksoi ai.
Deri të hënën, administrata duhet të zbatojë një sërë sanksionesh shtesë që synojnë të ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.
Këto sanksione u mandatuan nga Kongresi në një projekt-ligj të miratuar vitin e kaluar, të cilin Presidenti Donald Trump kundërshtoi me zë por megjithatë nënshkroi ligjin.
Sanksionet e së premtes, megjithatë, bien nën katër urdhra ekzekutivë ekzistues dhe janë të fundit në një seri veprimesh të ndërmarra nga administrata amerikane për të ushtruar presion ndaj qeverisë ruse.
Redaksia Online
A.D/shqiptarja.com
