UASHINGTON, 21 shtator /ATSH-AFP/ - Shërbimi sekret, i ngarkuar për mbrojtjen e presidentit amerikan, Barack Obama dhe tashmë përballur me skandale të brendshme, është akuzuar sërish pas dy incidenteve në Shtëpinë e Bardhë, ku një person i armatosur me një thikë ka mundur të hyjë të premten në mbrëmje.
"Një hetim është hapur mbi sigurinë e Shtëpisë së Bardhë, një prej vendeve më të sigurta në botë", njoftoi Shërbimi Sekret.
Këto incidente kanë ndodhur ndërkohë që shërbimet e sigurisë kanë rritur mobilizimin, veçanërisht në Nju Jork dhe në Londër, për shkak të rritjes së tensioneve ndërkombëtare.
Një person i armatosur me një thikë dhe prezantuar si një ish-luftëtar në Irak, ka mundur të hyjë të premten në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë duke kapërcyer mbi një pengesë, ku ka mundur të hyjë në ndërtesë para se të kapej nga agjentët.
"Pas këtij incidenti, Shtëpia e Bardhë u evakua për një kohë të shkurtër", theksoi Shërbimi Sekret.
Edhe një tjetër person tjetër që tentoi dje të afrohej më pranë Shtëpisë së Bardhë, fillimisht në këmbë dhe më pas me autoveturë, u arrestua.Shërbimet sekrete, sëbashku me repartin special të policisë që kontrollon zonën, urdhëruan menjëherë marrjen e masave të emergjencës që parashikohen në këto raste.
Stafi dhe gazetarët janë nxjerrë jashtë nga Krahu Perëndimor për një orë, ndërsa grupe agjentësh kanë kontrolluar gjithë perimetrin përreth dhe ambjentet e brendshme.
Në momentin e incidenteve Obama dhe familja e tij nuk ndodheshin në Shtëpinë e Bardhë, pasi ishin nisur për fundjavë në Camp David./
/ec/