“Për shumë vjet Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Evropës, nën një diktaturë shtypëse. Gjatë dy dekadave të fundit ka punuar për të forcuar demokracinë dhe reformojë ekonominë”.
Diplomati amerikan i bëri jehonë vizitës dhe apelit të zonjës Clinton.“Zonja Clinton e bëri të qartë se Shqipëria është në një udhëkryq kritik, ndërsa e vuri theksin tek nevoja për zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente në zgjedhjet e vitit 2013".
Gjithashtu ai theksoi se ajo gjithashtu u bëri thirrje anëtarëve të parlamentit të bashkëpunojnë pavarësisht nga përkatësia partiake dhe të marrin hapa të shpejtë për të miratuar reforma e kërkuara nga Bashkimi Evropian. “Veçanërisht, tha ai udhëheqësit e Shqipërisë duhet të zgjedhin rrugën e konsolidimit të arritjeve të deritanishme duke miratuar reforma në drejtësi dhe administratë dhe të rishikojnë rregullat procedurale të parlamentit. Qeveria tha ai duhet gjithashtu të shtojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.- tha Gordon, informon Zëri i Amerikës.
SHBA DHE BALLKANI
Diplomati i lartë amerikan rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e çështjeve të mbetura të Ballkanit dhe një Evropë të bashkuar, si edhe për përparimin e demokracisë. Zoti Gordon tha se Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian nuk kanë konkurrencë me njëri-tjetrin në rajon.
Ai e pranoi se reformat politike në rajon janë penguar nga kriza ekonomike në Evropë. Po ai shtoi se ngadalësimi ekonomik në Evropë mund të kishte qenë një shans për udhëheqësit e Ballkanit që të përqendroheshin tek sfidat e brendshme, por tha ai ka çuar në një intensifikim shqetësues të retorikës nacionaliste dhe rilindjen e shovinizmit si mënyrë për të tërhequr mbështetës.
Ai tha se Beogradi duhet të heqë strukturat paralele në veri, por se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në drejtim të përparimit dhe demokracisë dhe të ndërtojë shoqëri shumëetnike, me mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Zoti Gordon tha se Kosova duhet të vazhdojë reformat.
Zyrtari amerikan reagoi ndaj një pyetjeje që linte të kuptohej se Shtetet e Bashkuara mund të mos kenë një qëndrim të balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi ato favorizojnë Kosovën. Pyetja mori shkas nga qëndrimet e shprehura nga Sekretarja Clinton në Prishtinë. Zoti Gordon tha se nuk është për t’u habitur që zonja Klinton ka një lidhje të veçantë me Kosovën dhe se Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin e tyre në lindjen e shtetit të Kosovës. Por kjo tha ai nuk do të thotë se “Uashingtoni nuk po mban qëndrim të balancuar.”
(sg/shqiptarja.com)