“Biseda me Vladimir Putin ka qenë “shumë produktive” dhe janë bërë “progrese të mëdha”. Këtë e shkruan Donald Trump në Truth, duke njoftuar se “javën e ardhshme do të mbahet një mbledhje e Këshilltarëve tanë të lartë. Takimet fillestare me Shtetet e Bashkuara do të udhëhiqen nga sekretari i Shtetit Marco Rubio, së bashku me disa persona të tjerë që do të caktohen. Vendi i takimit ende nuk është përcaktuar.”

Më pas, njofton presidenti amerikan: “Presidenti Putin dhe unë do të takohemi më pas në një vend të dakordësuar, Budapest, në Hungari, për të vlerësuar nëse mund të vëmë fund kësaj lufte “të turpshme” midis Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti Zelensky dhe unë do të takoheni nesër në Shtëpinë Ovale, ku do të diskutojmë për bisedën time me presidentin Putin dhe shumë tjetër,” përfundon Trump.

Por për datën e takimit në Budapest nuk është dhënë asnjë informacion.

Teksa nesër pritet që Volodymyr Zelensky të udhëtojë drejt SHBA-së për takimin e radhës me Trump, Rusia paralajmëron sërish se dhënia e raketave amerikane Tomahawk do të shkaktojë dëme të mëdha në marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit.

Kjo deklaratë erdhi pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u pyet në një intervistë për komentet e presidentit të SHBA lidhur me mundësinë e furnizimit të Kievit me raketa të tilla. Mes deklaratave, Trump, është shprehur se nuk dëshiron asnjë përshkallëzim me Rusinë.

“Ai pranoi se do të ishte një përshkallëzim, dhe shumë serioz. Në atë rast, Ukraina nuk do të ketë më të bëjë fare me të. Kjo thjesht do të shkaktojë dëme kolosale në perspektivat për normalizimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe në përpjekjet për të thyer bllokimin e plotë në të cilin këto marrëdhënie janë futur nga administrata e Joe Biden", deklaroi Lavrov.

Një ditë më parë, Trump u shpreh se është i zhgënjyer nga Putin, por Shtëpia e Bardhë më vonë theksoi se ai gjithsesi ishte optimist për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Lajm në përditësim…