SHBA,takimi Trump-Erdogan,
bashkë në luftën kundër terrorizmit

SHBA,takimi Trump-Erdogan,<br />bashkë në luftën kundër terrorizmit
Presidenti Donald Trump priti të martën në Shtëpinë e Bardhë Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, një javë pas zemërimit që ngjalli në Turqi vendimi i tij për të autorizuar armatimin e kurdëve të Sirisë.

Trump tha para takimit se bisedimet në lidhje me marrëdhëniet midis dy vendeve do të ishin të gjata dhe të vështira.

Shtetet e Bashkuara e shohin forcën kurde, YPG, si një pjesë kyçe në luftën kundër Shtetit Islamik dhe në përpjekjet për të çrrënjosur militantët nga kryeqyteti i tyre de facto në Siri, Raka.

Turqia i konsideron terroristë luftëtarët e YPG, për shkak të lidhjeve të tyre me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, që vazhdon prej tre dekadash kryengritjen brenda Turqisë.

Erdogan e quajti vendimin e SHBA për të armatosur YPG-në "në kundërshtim me marrëdhëniet strategjike me Turqinë."

Ai i përsëriti shqetësimet e tij të martën, duke u thënë gazetarëve se Turqia kurrë nuk do të pranojë përdorimin e luftëtarëve të YPG-së në betejën kundër ISIS-it.

Megjithatë, Erdogan tha javën e kaluar se e shihte vizitën e tij në Uashington si "një fillim i ri në marrëdhëniet turko-amerikane".

Ai tha të martën se bashkëpunimi SHBA-Turqi është "shumë i rëndësishëm për botën" dhe u zotua të zgjerojë lidhjet ekonomike dhe ushtarake midis dy vendeve.

"Në të ardhmen e rajonit tonë nuk ka vend për organizatat terroriste," tha ai.

Përleshje mes demostruesve pro-Erdogan dhe pro-kurdëve

Para arritjes së Presidentit Erdogan në Shtëpinë e Bardhë, midis demonstruesve pro-Erdogan dhe një grupi pro-kurdëve pati një përleshje të shkurtër. Dy palët u ndanë shpejt nga policët dhe agjentët e Shërbimit Sekret të vendosur jashtë portave të Shtëpisë së Bardhë.

Si Turqia edhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur kryengritësit në Siri gjatë luftës gjashtëvjeçare kundër forcave dhe aleatëve të presidentit Bashar al-Assad. Gjithashtu, dy aleatët e NATO-s janë përfshirë shumë në luftën kundër Shtetit Islamik, pasi ky grup pushtoi pjesë të mëdha të Irakut verior dhe perëndimor si dhe të Sirisë lindore në mesin e vitit 2014.

Në komentet për gazetarët, Erdogan ngriti çështjen e statusit të Fethullah Gulenit, klerikut të mërguar që jeton në Shtetet e Bashkuara. Presidenti turk e fajëson klerikun për tentativën e grushtit të shtetit vitin e kaluar. Turqia ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara ta ekstradojë Gylenin, por kërkesa nuk ka marrë ndonjë përgjigje.ZA

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët