SHBA-të nisin avionët nga anijet
në Mesdhe në luftë kundër ISIS

SHBA-të nisin avionët nga anijet<br />në Mesdhe në luftë kundër ISIS
Që prej luftës së Irakut në vitin 2003, e premtja ka shënuar të parën herë që avionët luftarakë amerikanë kanë nisur sulmet kundër Shtetit Islamik nga aeroplanmbajtësja e ndodhur në detin Mesdhe, duke shënuar kështu të parat sulme në Lindjen e Mesme prej një largësie të tillë. Avionët luftarakë u ngritën në fluturim prej aeroplanmbajtëses “USS Harry S. Truman”, e cila doli në Mesdhe përmes kanalit të Suezit, sipas Marinës amerikane. Ende nuk janë publikuar detaje nëse shënjestrat e këtyre sulmeve kanë qenë në Irak apo Siri, apo se cilat objektiva ishin goditur.

Lëvizja e fundit e ushtrisë amerikane tregon edhe njëherë aftësinë e aeroplanmbajtëses për të kryer misione të qëndrueshme, edhe nëse do t’i duhet të lëvizë nga një rajon në tjetrin, deklaroi më tej zyrtari i Marinës amerikane.
“USS Truman” dhe anije të tjera - pjesë e grupit të saj goditës - shërbyen si asetet parësore në luftën e Amerikës kundër objektivave të Shtetit Islamik, teksa i duhej të shërbente njëkohësisht edhe në zonën e operacioneve të Flotës së peste të Marinës, si dhe teksa bashkërendiste veprimet me aeroplanmbajtësen franceze “Charles de Gaulle”.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara pritet t’i kërkojnë qeverisë siriane gjatë së dielës, të miratojë hedhjen e ndihmave humanitare nga ajri në zonat e rrethuara, sipas asaj që deklarojnë diplomatë pjesëmarrës në një takim me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurisë gjatë kësaj të premteje. Afro 600 mijë njerëz janë të bllokuar në 19 zona të ndryshme të Sirisë, sipas përllogaritjeve të OKB-së, prej të cilëve 2/3-tat janë të rrethuar prej forcave qeveritare dhe pjesa tjetër nga grupet e armatosura të opozitës, si dhe militantë të Shtetit Islamik.

Shefi i OKB-së për Ndihmat, Stephen O’Brien tha para Këshillit të Sigurisë se OKB-ja duhet t’i kërkojë leje Sirisë për të hedhur ndihma nga ajri në zonat e rrethuara, specifikisht aty ku nuk ka asnjë akses rrugor të lejuar prej qeverisë së Bashar al-Assadit.
Muajin e kaluar, anëtarë të Grupit Ndërkombëtar në Ndihmë të Sirisë, ku përfshihen Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, ranë dakord për zbatimin nga ajri të programit të dhënies së ushqimeve ndaj komuniteteve të rrethuara në Siri, duke nisur nga 1 qershori, nëse asnjë akses rrugor nuk mundej të sigurohej. Komentet e O’Brien u mbështetën edhe nga ndërmjetësi i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura.
Të paktën 250 mijë njerëz kanë vdekur në Siri gjatë luftës civile 5-vjeçare, ndërsa mbi 6.6 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda kufijve, sikurse janë regjistruar edhe 4.8 milionë refugjatë.
 
Xhihadistët
Departamenti grek i Antidrogës dhe Policia e Krimit Financiar, në bashkëpunim me DEA-n amerikane kanë zbuluar një nga ngarkesat më të mëdha të pilulave të drogës me vlerë 13 milionë euro, që kishte destinacion xhihadistët. Ngarkesa është zbuluar në një konteiner të dyshimtë në një anije që vinte nga India për në Libi me stacion të ndërmjetëm portin e Pireut. Pas hapjes së konteinerit janë gjetur 26 milionë pilula Tramol dhe Τramadol. Sipas burimeve, pranë organeve greke pilulat ishin të destinuara për xhihadistët e Shtetit Islamik në Tobruk të Libisë. 

Ekspertët, pasi kanë analizuar përbërjen e tyre, ku kanë gjetur substancën captagon, një derivat i amfetaminës, kanë shpjeguar se ato shndërrojnë përdoruesit, në këtë rast militantët xhihadistë, në makineri vrasëse të paskrupullta. Menjëherë pas përdorimit të tyre, përdoruesi ndjen rritje në forcën e muskujve, rritjen e dëshirës seksuale, stimulim të euforisë dhe agresionit dhe mungesë të nevojës për gjumë dhe ushqim. 
Në thelb, i bën ata të ndjehen të paprekshëm, thonë ekspertët. Hetimet vazhdojnë për të gjetur deri ku shtrihet rrjeti i trafikantëve, pasi për herë të parë zbulohet një sasi kaq e madhe pilulash droge pas së cilës fshihen bashkëpunëtorë të ISIS-it.

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Jashtme: Mbështesim përpjekjet e SHBA, Egjiptit dhe Katari  për të arritur paqen mes Izraelit dhe Hamasit

Ministria e Jashtme: Mbështesim përpjekjet e SHBA, Egjiptit dhe Katari për të arritur paqen mes Izraelit dhe Hamasit