SHBA/ Një burrë i armatosur ‘merr peng’ selinë e CIA-s për 5 orë, dorëzohet pas negociatave me policinë

SHBA/ Një burrë i armatosur ‘merr peng’ selinë e CIA-s për 5 orë, dorëzohet pas negociatave me policinë

Foto nga vendngjarja

SHBA - Një burrë me flokë të gjatë, mjekër, xhaketë ushtarake dhe pantallona sportive ishte ulur në një stol pranë hyrjes së selisë qendrore të CIA-s në Langley, rreth 15 kilometra larg Washingtonit. Në një moment, ai nxori një pistoletë dhe e drejtoi nga qielli. Ky gjest i mjaftoi për të shkaktuar alarm të përgjithshëm, bllokimin e zonës dhe shtimin e frikës mes amerikanëve për një sulm të mundshëm terrorist ose një akt të lidhur me teoritë konspirative për "deep state" – strukturat e fshehta të pushtetit në Washington.

Megjithatë, pas disa orësh, policia e Fairfax sqaroi se bëhej fjalë për një individ me probleme mendore në të kaluarën. Ai u dorëzua, por në një moment e drejtoi armën drejt kokës së tij. Për më shumë se pesë orë, zona u izolua, me dhjetëra makina policie, automjete të blinduara dhe forca speciale SWAT të vendosura në gatishmëri. Një ekip xhenierësh u thirr për të kontrolluar një makinë të dyshimtë, por rezultoi se nuk kishte eksploziv. Pranë vendngjarjes ndodheshin edhe dy mjete zjarrfikëse.

Burri kishte mbërritur para selisë së CIA-s rreth orës 10 të mëngjesit. Pasi nxori armën dhe e drejtoi nga qielli, ai u bë më agresiv kur pa oficerët e sigurisë që po afroheshin. Ai bërtiti fraza pa kuptim, duke përmendur emrat e Osama bin Ladenit dhe ish-presidentit Donald Trump. Më pas, u izolua dhe negociatat me policinë vazhduan deri pasdite. Disa dëshmitarë pohuan se ai kishte qëlluar me armë në ajër, por policia e mohoi këtë.

Ngjarja ndezi rrjetet sociale me teori konspirative. Disa përdorues e lidhën atë me publikimin, një ditë më parë, të mijëra dokumenteve mbi vrasjen e presidentit John F. Kennedy. Ish-presidenti Trump kishte paralajmëruar publikimin e këtyre dosjeve, duke thënë se gazetarët do të "argëtoheshin shumë". Komplotistët pretendonin se dokumentet mund të zbulonin përfshirjen e CIA-s në atentatin ndaj JFK, por nga dosjet nuk doli asgjë e re. Policia nuk konfirmoi asnjë lidhje mes ngjarjes dhe këtyre spekulimeve.

Askush nuk u plagos, dhe identiteti i të ndaluarit nuk u bë i ditur. 

Nuk është hera e parë që selia e CIA-s bëhet shënjestër e incidenteve të tilla. Në vitin 2021, një burrë i armatosur u përpoq të hynte në godinë, por u neutralizua nga agjentët e FBI-së dhe ndërroi jetë në spital. Ndërsa në vitin 1993, pakistanezi Mir Aimal Kansi hapi zjarr ndaj disa makinave pranë CIA-s, duke vrarë dy punonjës dhe plagosur tre të tjerë. Ai arriti të arratisej në Pakistan, por u arrestua katër vite më vonë, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në vitin 2002.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 10:18

    Nisin kualifikueset e Botërorit, si del Angli-Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

‘Tradhtarë, mosmirënjohës’ / Rama nga Njësia 2 tregon të pathënat kur kandidoi për herë të parë në parti: Mora vetëm 40 vota, dy vite isha ‘black out’

‘Tradhtarë, mosmirënjohës’ / Rama nga Njësia 2 tregon të pathënat kur kandidoi për herë të parë në parti: Mora vetëm 40 vota, dy vite isha ‘black out’