SHBA - Një person i armatosur përplasi makinën e tij në ndërtesën e sinagogës Temple Israel në zonën West Bloomfield, dhe më pas u përpoq të hynte me forcë brenda. Rojet e sigurisë së sinagogës e panë dhe e qëlluan, duke e vrarë.

Nuk ka viktima të tjera. Një roje sigurie mbeti i plagosur lehtë kur makina u përplas me ndërtesën.

Drejtori i FBI-së tha se bëhet fjalë për “një atentat të dukshëm”. Sipas tij, automjeti u përplas qëllimisht me ndërtesën përpara se të ndodhte shkëmbimi i zjarrit.

Sipas raportimit të CNN, në makinë u gjet një sasi e madhe eksplozivësh. Dhjetëra makina policie rrethuan ndërtesën.

Në disa video të publikuara në rrjetet sociale shihen shumë policë që hyjnë me shpejtësi në ndërtesë. Gjithashtu u dha alarm edhe në shkollat përreth, të cilat u evakuuan.

Policia u kërkoi banorëve të zonës West Bloomfield të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes për të lejuar ndërhyrjen e forcave të rendit. Ndërkohë janë shtuar patrullimet edhe pranë vendeve të tjera të kultit në zonë.

Edhe Federata Hebraike e Detroitit njoftoi se është në dijeni të incidentit dhe u kërkoi njerëzve të mos afrohen pranë sinagogës.

Sinagoga Temple Israel ka gjithashtu një qendër për fëmijët e vegjël. Organizatat hebraike në të gjithë Shtetet e Bashkuara janë në masa të forta sigurie që nga momenti kur Izraeli dhe SHBA-ja sulmuan Iranin më 28 shkurt.