SHBA, tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkojnë avokatit të Trump të dorëzojë dokumentat e dosjes 'Ukraina'

SHBA, tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkojnë avokatit të Trump të dorëzojë dokumentat e dosjes 'Ukraina'

Presidenti i SHBA Donald Trump u shpreh me zemërim rreth hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve që synon ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij, ndërkohë që udhëheqësi republikan i Senatit deklaroi se ai nuk do të kishte "zgjedhje tjetër" përveçse të lejojë hapjen e një gjyqi në Senat nëse Dhoma vendos të nisë procedurat për shkarkim.

Senatori Mitch McConnell duket se u dha fund hamendjeve se ai mund të përdorë pozitën e tij për të shmangur një gjyq në senat, duke minuar çdo përpjekje të Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e presidentit.

Republikanët kontrollojnë Senatin dhe përgjithësisht kanë heshtur rreth aludimeve apo përpjekjeve për të hetuar presidentin, i cili i përket partisë së tyre.

Dhoma e Përfaqësuesve nisi javën e kaluar një hetim me synimin për ta shkarkuar presidentin Trump, pas raportit të një informatori, i cili ngriti shqetësimin se presidenti ishte përpjekur të shfrytëzonte dhënien e rreth 400 milion dollarëve ndihmë në këmbim të një favori politik nga udhëheqësi i Ukrainës.

Tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve thanë se i kishin dërguar kërkesa ligjore për dorëzim dokumentesh avokatit të Trump, Rudy Giuliani.

Giuliani, ish-Kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut, ka thënë në televizion se i kishte kërkuar qeverisë së Ukrainës të "verë në shënjestër" ish-nënpresidentin Joe Biden, kandidat demokrat, që synon të rivalizojë me Presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2020.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve miraton ngritjen e akuzave, të njohura si "nenet e shkarkimit ndaj një presidenti”, atëherë procesi kalon në Senat, i cili zhvillon një gjyq.

"Nuk do të kisha zgjedhje tjetër përveçse ta pranoj çështjen," i tha senatori McConnell rrjetit televiziv CNBC.

"Sipas rregullave të Senatit, nga ne kërkohet që ta pranojmë çështjen, nëse Dhoma e Përfaqësuesve i hyn asaj rruge. Rregullat e gjykimit në Senat janë shumë të qarta," tha McConnell.

Presidenti Trump e kaloi një pjesë të ditës duke ia drejtuar zemërimin e tij ligjvënësit demokrat që drejton hetimin, duke thënë në Twitter se kongresmeni Adam Schiff, kreu i komisionit të zbulimit, duhet të arrestohet për "tradhti".

Më vonë, duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump e akuzoi ligjvënësin Schiff për shtrembërimin e bisedës së tij të 25 korrikut me Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

"Adam Schiff bëri një mashtrim dhe e lexoi atë në Kongres, e lexoi përpara popullit të Shteteve të Bashkuara dhe kjo është një poshtërsi”, tha Presidenti Trump.

Në komentet e tij, zoti Schiff tha se biseda e presidentit Trump me presidentin ukrainas Zelenskiy "i ngjan një episodi klasik të krimit të organizuar". Ai gjithashtu ironizoi komentet e bëra nga Presidenti Trump në Twitter.

Dëshmitarë të ndryshëm do të japin dëshmi këtë javë në Dhomën e Përfaqësuesve, lidhur me kërkesën e Presidentit Trump që Ukraina të hetojë kandidatin demokrat Joe Biden.

"Ju deklaruat së fundmi se jeni në posedim të provave - në formën e mesazheve tekst, regjistrimeve telefonike dhe komunikimeve të tjera – gjë që tregon se nuk keni vepruar i vetëm dhe që zyrtarë të tjerë të administratës Trump mund të kenë qenë të përfshirë në këtë skemë,” i shkruanin zotit Giuliani kryetarët e tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve. Atij i është dhënë kohë të përgjigjet deri në 15 tetor.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë