Presidenti amerikan Donald Trump ka falur dy gjela deti në vigjilje të Ditës së Falënderimeve. Shumë amerikanë do të shërbejnë gjel deti si pjesë e darkave të tyre festive, por Gobble dhe Waddle tani janë të lirë dhe do të kthehen në shtetin e tyre të Karolinës së Veriut.
Një nga ceremonitë më të çuditshme vjetore në Shtëpinë e Bardhë, falja e gjelit të detit tërhoqi një turmë të madhe këtë vit, përfshirë shumë anëtarë të kabinetit Trump dhe fëmijët e tyre.
Presidenti amerikan nuk i kurseu sulmet politike me temë gjeldeti ndaj demokratëve të Kongresit, përpara se ai t’i falte zyrtarisht shpendët.
Dy gjelat e detit qëndruan në hotelin luksoz Willard InterContinental përpara ceremonisë së tyre në Kopshtin e Trëndafilave.
Historia e ‘faljes’ së gjelit të detit nga presidentët amerikanë
“Falja” e përvitshme nga presidentët amerikanë e gjelit të detit në Shtëpinë e Bardhë është një traditë interesante që i paraprin Ditës së Falenderimeve. Thuhet se mëshira që tregoi Presidenti Abraham Lincoln për një gjel deti, është zanafilla e ceremonisë së faljes.
Ka histori të shumta rreth origjinës së faljes së gjelit të detit për Ditën e Falenderimeve, thotë historiani Edward Lengel, i Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë. Disa prej këtyre historive i referohen Presidentit Abraham Lincoln gjatë periudhës së Luftës Civile.
“Ai kishte një djalë të quajtur Ted që bënte shaka me Presidentin Abraham Lincoln për një gjel deti që mbante pas vetes dhe që lëvizte përmes kutive të votimit në vitin 1864. Linkolni e pyeti se ç’bënte ai aty. A kishte ardhur për të votuar?” tregon historiani Edward Lengel.
I biri iu përgjigj se gjeli i tij nuk votonte dot pasi ishte në moshë të vogël.
“Në vazhdim, Presidenti Lincoln e fali gjelin e detit duke e shpëtuar nga mundësia e therjes për tryezën e Falenderimeve”, thotë Lengel.
Kur ishte president Harry Truman në vitet 1940-të, ai çdo vit e linte të lirë gjelin e detit në Ditën e Falenderimeve. Rreth 20 vjet më vonë, Presidenti John F. Kennedy vendosi t’i kursejë jetën gjelit që i sollën në Shtëpinë e Bardhë për Ditën e Falenderimeve. Kennedy tha “Do ta fal këtë gjel dhe do ta lë të rritet”.
“E dimë me siguri se ishte Presidenti Kennedy që e filloi këtë traditë të faljes, e cila ka vazhduar që nga ajo kohë”, thotë Lengel.
Shtëpia e Bardhë i merr gjelat me ndihmën e Federatës Kombëtare të Gjelave të Detit.
Gjelat e falur shpesh dërgohen në një kopsht zoologjik. Ndërsa gjeli që gatuhet për vaktin e presidentit, blihet me të ardhurat e tij dhe përgatitet sipas shijeve personale dhe të familjes së tij.
Foto:Gjelat e detit në hotel
Komente











