SHBA: Turqia nuk mund të jetë më pjesë e programit F-35

SHBA: Turqia nuk mund të jetë më pjesë e programit F-35

Administrata e Presidentit Trump tha të mërkurën se Turqia nuk mund të jetë më pjesë e programit të avionëve amerikanë F-35, një deklaratë që shënon një thyerje me rëndësi në marrëdhëniet me aleatin e vjetër të NATO-s.

Shtëpia e Bardhë tha në deklaratën me shkrim se vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400 "e bën të pamundur vazhdimin e përfshirjes së vendit në programin F-35".

Shtëpia e Bardhë nuk tha në mënyrë të drejtpërdrejtë se Turqia do të hiqet nga programi i avionëve F-35, por Pentagoni pritet ta bëjë këtë.

Turqia prodhon komponente të shumta për avionin e tipit Stealth, i cili shitet në shumë vende të botës. Nëse Turqia largohet nga programi, siç pritet, Shtetet e Bashkuara do të duhet të gjejnë furnizues alternativë për pjesët e avionit.

“F-35-a nuk mund të bashkëjetojë me një platformë ruse të grumbullimit të informacioneve të klasifikuara që mund të përdorej për të mësuar rreth aftësive të avancuara të avionit'', thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila i referohet sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 si një mjet me të cilin Rusia mund të marrë informacion mbi aftësitë ushtarake të SHBA.

Presidenti Donald Trump njoftoi të martën se blerja e sistemit rus S-400 nënkupton se Turqia nuk do të lejohet të blejë asnjë aeroplan F-35.

Ende nuk është njoftuar nëse SHBA do të vendosë sanksione ekonomike ndaj Turqisë për vendimin e saj.

Mosmarrëveshja me Turqinë për blerjen e një sistemi rus armatimi është shenjë e një ndarjeje më të thellë midis Ankarasë dhe aleatëve dhe partnerëve të saj perëndimorë.

Turqia është ankuar se nuk iu ofruan kushte të favorshme për të blerë një sistem amerikan alternativë ndaj sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Shtëpia e Bardhë, megjithatë, tha në deklaratën e saj të mërkurën se Turqia kishte shumë shanse për të blerë sistemin amerikan Patriot.

“Kjo administratë ka bërë oferta të shumta për ta bërë Turqinë ndër vendet kryesore për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot,” tha ajo. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohen dy makina në aksin Vorë-Rinas, ndërron jetë në spital një nga shoferët

Aksidentohen dy makina në aksin Vorë-Rinas, ndërron jetë në spital një nga shoferët