WASHINGTON-  Republikanët kanë anuluar votimin të rritjes së taksave në Kongres, e cila nëse nuk hidhet në votim hyn në fuqi automatikisht më 1 janar të 2013. Republikani John Boehner i cili është lideri Dhomës së përfaqësuesve, tha se ata u tërhoqën pasi nuk arritën të siguronin mbështetjen e nevojshme për faturën, e emërtuar si Plani B e cila do të rriste taksat mbi të ardhurat në rreth 1 milionë dollarë.

“Plani B i republikanëve, i cili do të rriste taksat për familjet me të ardhura neto më shumë se 1 milion dollarë në vit, nuk ka pasur mbështetje të mjaftueshme nga anëtarët tanë për të kaluar”, ka thënë kryesuesi i Dhomës, John Boehner.

Pikëpamjet e ndryshme politike janë pjesë e problemit të ashtuquajtërs shkëmbi fiskal dhe kjo mund të rrezikojë çuarjen e vendit në recesion nëse nuk arrihet një marrëveshje mes demokratëve dhe republikanëve.

Këta të fundit favorizojnë zvogëlimin e borxhit qeveritar duke shkurtuar shpenzimet qeveritare, por duke shmangur rritjen e taksave. Ndërsa, demokratët favorizojnë një kombinim të shkurtimeve të shpenzimeve dhe rritjes së taksave.

Presidenti Barack Obama tashmë ka thënë se ai do t’i vërë veto një ligji të tillë. Votimi është shtyrë pas Krishtlindjeve, por nëse marrëveshja nuk arrihet deri më 1 janar të vitit 2013, do të hyjë në fuqi rritja automatike e taksave, që mund të çojë ekonominë amerikane në recesion gjatë vitit të ardhshëm.

DASH: FONDE SHTESE PER MISIONET DIPLOMATIKE

Departamenti amerikan i Shtetit do të kërkojë miliarda dollarë shtesë nga Kongresi për të përmirësuar sigurinë në postet diplomatike, pas sulmit të 11 shtatorit në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Bengazi. Zëvendëssekretarët e shtetit, William Burns dhe Thomas Nidez, kanë paraqitur kërkesën në Kongres dhe Senat. Kërkesa përfshin para për vendosjen e marinsave shtesë, për konstruksione që lidhen me sigurinë, si dhe 5 për qind rritje për zyrtarët e sigurisë diplomatike. Një raport i publikuar këtë javë ka konstatuar se siguria në konsullatën në Bengazi nuk ka qenë e duhur. Nga sulmi atje ka humbur jetën ambasadori amerikan, Christopher Stevens, dhe tre zyrtarë të tjerë të SHBA-së. Departamenti i Shtetit po ashtu ka krijuar një pozicion të ri për të mbikëqyrur misionet e kërcënuara, përfshirë këtu përfaqësitë në Afganistan, Azerbajxhan, Irak, Pakistan dhe disa vende të Lindjes së Mesme, shkruan europaelire.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)