SHBA sanksionon tre zyrtarë të Republikës Sërpska: Ndihmuan përpjekjet e Dodikut për të minuar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit

SHBA sanksionon tre zyrtarë të Republikës Sërpska: Ndihmuan përpjekjet e Dodikut për të minuar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se ka sanksionuar tre zyrtarë, që sipas tij, kanë kontribuar në përpjekjet e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për të minuar paqen dhe stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë, duke organizuar dhe mbajtur “Ditën e Republikës Sërpska” më 9 janar.

Kjo ditë konsiderohet jokushtetuese në Bosnje e Hercegovinë. Sipas Thesarit amerikan, tre individët e sanksionuar kanë ndihmuar përpjekjet e Dodikut për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara lidhur me përpjekjet e vazhdueshme për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dy institucione kritike që kanë qenë instrumentale për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës të gjithë ata që synojnë të ndjellin përçarje për të arritur qëllimet e tyre politike në kurriz të popullit të Bosnje Hercegovinës”, shtoi ai.

Tre personat e sanksionuar janë: Branisllav Okuka, Jellena Pajiq Bastinac dhe Srebrenka Golliq.

Më 8, 9 dhe 10 janar të vitit 2024, Qeveria e entitetit të Republikës Sërpska organizoi festimet për “Ditën e Republikës Sërpska” në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, që e ka shpallur këtë ditë jokushtetuese sepse i jep përparësi “trashëgimisë fetare, traditës dhe zakoneve vetëm të popullit serb” dhe në këtë mënyrë shkelet obligimi kushtetues për mosdiskriminim.

Branisllav Okuka, këshilltar i Dodikut, tha për agjencinë e lajmeve Srna “se është punë e madhe të jesh në ekipin e njerëzve nga lista e zezë amerikane të udhëhequr nga presidenti Millorad Dodik".

“Është një nder i madh për mua që të sanksionohem si një nga pjesëmarrësit në organizimin e festës së 9 janarit, ‘Ditës së Republikës}, që ishte më madhështorja dhe spektakolarja e këtij viti dhe ju premtoj se 9 janari i ardhshëm do të jetë më i mirë dhe më masiv”, tha ai.

Përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, kishe deklaruar se shënimi i 9 janarit përfaqësonte “një dështim të qartë dhe të drejtpërdrejtë të zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës”. Sipas tij, një shkelje e tillë përbën vepër penale sipas Kodit Penal të shtetit.

Dodik personalisht kishte drejtuar një komitet organizativ për festimet për “Ditën e Republikës Sërpska” në entitetin serb të Bosnjës.

Tre personat e sanksionuar ishin anëtarë të këtij komiteti dhe kishin marrë pjesë në mbledhjen e 27 nëntorit të vitit 2023, ku publikuan aktivitetet që do të mbaheshin për shënimin e kësaj dite.

Sipas Thesarit, me lehtësimin e shënimit të kësaj feste jokushtetuese, këta tre persona me vetëdije kundërshtuan konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë dhe “shfaqën hapur përbuzjen për Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit”.

SHBA-ja tha se këto sanksione janë në përgjigje edhe të incidenteve të mëhershme, ku këta zyrtarë ishin përfshirë në aktivitete “që minonin stabilitetin rajonal.

“Këto veprime janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të Qeverisë amerikane për të promovuar paqe, stabilitet dhe qeverisje demokratike e funksionale në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u tha në njoftimin e Thesarit.

Sanksionet parashohim bllokimin e të gjitha pronave dhe interesave që këta persona mund të kenë në SHBA.

Edhe më herët SHBA-ja ka sanksionuar zyrtarë të ndryshëm të entitetit të Republikës Sërpska për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Më 5 janar 2022, Dodik u sanksionua nga SHBA-ja pasi u tha se ishte përgjegjës dhe ishte përfshirë në kërcënim të zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, por edhe për përfshirje në aktivitete korrptive.

Presidenti i Republikës Sërpka është sanksionuar nga SHBA-ja edhe më 2017 për shkak të aktiviteteve që paraqisnin kërcënim dhe pengesë për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit./ REL

K.M/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja