Policia e Lezhës ka bërë bilancin e muajit Maj. Në një konferencë për shtyp drejtori Arben Nasufi tha gjatë kësaj periudhe janë realizuar 6 operacione, ku një prej tyre për shpërndarjen e lëndëve narkotike në shkolla.

“Gjatë muajit maj janë evidentuar dhe referuar në Prokurori 142 raste të veprave penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 132. Për këto vepra penale janë identifikuar 145 autorë të dyshuar në total, nga të cilët 17 janë arrestuar/ndaluar, 113 autorë të dyshuar janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor është shpallur në kërkim.

Janë finalizuar 6 operacione policore: 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e organizimit të lotarive të palejuara; 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike; 1 operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave dhe zonave përreth; 1 operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të tregut informal të këmbimeve valutore, kryesisht të ushtrimeve pa licencë”, tha Nasufi.

Nasufi tha se janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 5548 fidanë dhe bimë narkotike kanabis sativa; Rreth 1 kilogram lëndë narkotike kanabis sativa;  Lëndë narkotike kokainë; 2 automjete të trafikuara, të shpallura në kërkim ndërkombëtar; 1 armë zjarri pistoletë; 4 armë të ftohta (thika); Makineta për lojëra fati, letra bixhozi dhe tavolina pokeri;  65 mijë euro, 6 milion lekë të rinj, 12 mijë dollarë dhe 4 mijë paunde; 9 automjete të përfshira në kryerjen e veprave penale.

Në vijim të konferncës ai shtoi se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet një prioritet dhe gjatë muajit që lamë pas janë asgjësuar 5548 fidanë dhe bimë narkotike kanabis sativa.

“Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike ka vijuar dhe mbetet një prioritet i punës sonë, duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme në ambiente të hapura e të mbyllura, përmes grupeve të posaçme në terren, si dhe me përdorimin e pajisjeve teknologjike, përfshirë monitorimin me dronë dhe kontrollin nga ajri në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë muajit maj janë evidentuar 9 raste, me 9 autorë të identifikuar të implikuar, gjatë të cilave janë asgjësuar 5548 fidanë dhe bimë narkotike kanabis sativa”, tha ai.

Sa i përket mbarëvajtjes së sezonit veror, ai nënvizoi se janë marrë një plan masash për sigurinë e pushuesve në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Shëngjin.

“Duke qenë se jemi në fillim të sezonit turistik veror, një periudhë e cila shoqërohet me rritje të fluksit të vizitorëve dhe aktiviteteve publike dhe rritje të fluksit të automjeteve, njëkohësisht edhe në periudhën e pelegrinazhit në Kishën e “Shna Ndout”, në Laç, Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike “UNUM”, në Shëngjin, si dhe zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme sportive dhe kulturore, Policia e Lezhës ka qenë e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve janë hartuar dhe zbatuar plane të detajuara shërbimi me masat e nevojshme, duke rritur prezencen policore në terren, forcuar kontrollet dhe monitorimin e situatës, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet përgjegjëse.

Gjithashtu, në funksion të mbarëvajtjes së sezonit veror dhe garantimit të sigurisë së pushuesve, Policia e Lezhës do të bashkëpunojë ngushtë me Stacionin e Policisë Kufitare Shëngjin për monitorimin e vijës”, tha Nasufi.