Jam midis atyre që PD, si forcë politike, që në fillimet e saj, më kallte një frikë, ndërkohë që “partia që desha” dikur, më kishte tmerruar. Midis dy realiteteve politike të asaj kohe, personalisht nuk iu bashkova askujt. Thjesht ngela me “veten time”, edhe pse e dija se isha i humbur, i shpërfillur dhe një “zar” që dikujt i duhej vetëm për “kohën e votimit”.
Ato kohë kam kujtuar ata intelektualë shqiptarë të viteve të Luftës së Dytë, që nuk besonin as PKSh, as ballistët e nacionalistët, por mbetën jashtë rrymave. Dihet fati i tyre, sikurse edhe i imi dhe i shumë të tjerëve që nuk gjetën askund “strehën e ngrohtë”. Në mënyrë të dhimbshme, politika shqiptare pas komunizmit u bë një sindromë e njohur: ha njëri tjetrin. Ndaj të mençurit e vërtetë mbeten larg politikës, jo vetëm në Shqipëri.
Ne përgjithësisht kemi një “kujtesë të shkurtër”. Jo vetëm shqiptarët. Çdo komb harron shpejt dhe vërsulet drejt “ideve të reja” që janë po aq të vjetra sa vetë njerëzimi. Thjesht riciklime. Me sa duket, ëndrrat e mëdha politike janë shterur, ndaj ka një kthim të dukshëm tek konservatorizmi dhe ekstremizmi i djathtë,rryma që, kur kanë qenë në pushtet, i kanë sjellë drama njerëzimit.
Kohët e fundit, partia që “lëngon” nga pleqëria e ideve dhe vizioneve, që ende quhet PD, jeton me ëndrrën se vetëm ajo është antikomuniste, se vetëm ajo sjell liri, prosperitet dhe shtet të së drejtës. Harron se ka qenë në pushtet dhe ka bërë të njëjtat katrahura që kritikon sot. Pra, pushtetllëku në Shqipëri nuk ka shumë dallim: mbetet formë sundimi, jo qeverisje demokratike. Dallimi është se kundërshtari e shet më mirë veten; propaganda e tij funksionon, ndërsa rrëmuja e PD mbetet rrëmujë.
A e shikoni si partia që ishte shpresa më e madhe, që erdhi si uragan, ka përfunduar në një formë boshllëku? Kjo shpjegohet me një gjë të vetme: kur një parti kthehet në diçka “harram” për popullin dhe për vetë anëtarët e saj. Kush e harron “vrapin” e madh për të marrë sa më shumë nga pushteti? Dhe një nga aktet më të rënda ishte rrëmbimi i Shtëpisë së Ushtarakëve. Për brezin tim, ajo ishte një hapësirë e veçantë: muzikë, jetë, një lloj çlirimi nga errësira e kohës. Ajo ndërtesë në qendër të Tiranës mund të ishte sot një muze i gjallë i kujtesës sonë. Një vend ku historia do të fliste dhe ku edhe të huajt do të kuptonin një pjesë të jetës shqiptare. Por ndodhi e kundërta: u kthye në objekt përvetësimi politik. Dhe pikërisht këtu lind problemi moral.
Thuhet se “harrami mbetet harram”. Një forcë politike që “pranon gjënë harram” e ka të vështirë të ringrihet. Nuk është rastësi që nuk ngre dot krye. Dhe nuk është rastësi që kundërshtari i saj, pavarësisht skandaleve, qëndron në pushtet. Sepse njerëzit bëjnë krahasime, edhe kur zgjedhja nuk është e mirë.
Unë ndoshta “flas kot”, por besoj tek një gjë e thjeshtë: ndershmëria. Nuk ndërtohet dritë duke vepruar në errësirë. Kur një forcë politike mbetet brenda “rrugicave të errëta”, ajo nuk mund të sjellë dritë. Dhe ndoshta këtu hyn edhe ajo që populli e quan “mallkim”. Jo në kuptimin mistik, por si pasojë e veprimeve. Kur shkel mbi kujtesën, mbi një shtresë njerëzish që i kanë shërbyer shtetit, atëherë pasoja vjen,herët a vonë.
A mund të shpjegohet ndryshe ky mish-mash?
“Fali, o Zot, se nuk dinë ç’bëjnë” është thënë dikur. Ndoshta vlen ende. Sepse, partitë, kur humbasin moralin, kthehen thjesht në mashtrime të mëdha.Natyrisht, mashtrimi të josh,por nuk të sjell në pushtet, duke mbetur “opozitë në stërvitje”.Shqipëria ka nevojë për ndryshim, jo “këmbim”…
Komente