TIRANE - Aleatët e koalicionit të djathtë dhe opozitës së ardhshme në Parlament kërkojnë një opozitë të fortë si dhe të drejtë në respekt të votave që kanë marrë së bashku në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një prononcim për gazetën Shqiptarja.com, kreu i LZHK, Dashamir Shehi kërkon nga aleatët që janë të lëkundur në koalicion e djathtë të largohen ose të pranojnë që të bëjnë opozitën bashkë me ata që kanë humbur në këto zgjedhje.

“Unë gjykoj se kush ka marrë votat e kësaj mazhorance deri më dje dhe të opozitës deri më sot duhet t`i qëndrojë besnik kësaj linje. Këtu, është bërë modë në Shqipëri që partitë të lëvizin nga një grup në një tjetër për interesa të tyre jo vetëm politike. Gjithësesi kjo mbetet çështje e tyre dhe jo më e jona. Ne do të presim shtatorin që të fillojmë punën si opozitarë të fortë.

Kur i kemi hyrë kësaj pune i kemi hyrë edhe pse shumica e dinin që do të humbisnin. Normalja ishte që të të mos fitonin, sepse pas 8 vitesh kjo edhe mund të pritej. Ne duhet të jemi thjesht dhe djathtas”, shprehet kreu i LZHK. Ndër të tjera, ai thekson se opozita e ardhshme duhet të jetë e fortë dhe e kthjellët me ata deputetë që ka nxjerrë.

“Këto qëndrime unë them se kush nuk ka ndërmend që të bëjë opozitë, të ikë prej saj. Është më mirë kështu. Do të jetë më mirë për të gjithë që ta dimë dhe ne se si do ta fillojmë opozitën. Në shtator duhet të jenë ujërat e kthjellët”, shprehet Shehi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)