Pse humbi Berisha dhe gara Olldashi-Basha. Këto kanë qenë temat e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në ‘A1 Report’ sot në mbrëmje. Të ftuar në studio ishin kreu i LZHK, Dashamir Shehi dhe analisti Ylli Rakipi.

Shehi: Ka shumë arsye të humbjes së PD, por arsyeja kryesore është kriza ekonomike e fshehur nga qeveria me një propagandë të stilit të vjetër. E dyta edhe keqqeverisja, pasi administrata publike ka rrëshqitur në njëlloj paaftësie, në interesa politike, partiake. Ka njëlloj lodhjeje, pasi i njëjti kryeministri 8 vjet propozohet për herë të tretë në mandatin e fundit. Kjo lloj përsëritjeje s’është e pëlqyeshme. Ajo që i dha shkelmin PD-së është parimi; qeverisja u shqep, u pre dhe në fund si ajo shprehja "ç’janë ato pantallona që u ka dalë boja", çdo gjë bëhej në funksion të një pragmatizmi ekstrem. S’mund të qeveriset duke marrë deputetë nga e majta në të djathtën. Me idenë që kështu qeveriset, kjo është rruga.
Rakipi: Është goxha humbje dhe jo një rotacion i zakonshëm. Edhe media vetë që u përpoq të krijonte një realitet virtual. U ble një realitet virtual. Thuhej që rezultati është 70 me 70, aty aty është rezultati. Punoi për ta fabrikuar.  Kjo parti u izolua, arriti në aq kulme, sa menduan se ishin gjithçka, se i jepnin frymë, ajër këtij vendi.
Babaramo: Si iku nga pushteti Berisha në 97-n, pasi ti Ylli ke qenë këshilltar i tij atëkohë?
Rakipi: Në '97-n Berishës iu kërkua të largohej me forcë nga pushteti dhe momente të tilla kemi plot të krahasueshme dhe sot. Atëkohë Berishës i doli përpara forca dhe Berisha u përpoq të përgjigjej po me forcë. Dhe me sot janë momente të krahasueshme, pasi humbja qe më e thellë se në '97-n". Këtë duhet të lexojë PD. Berisha në '97 dha dorëheqjen. Për mua, Berisha ishte më dinjitoz në 97-n se në këto momente.
Babaramo: A mendoni se Berisha është larguar vërtet nga politika?
Shehi - Fjalimi i Berishës isht i njërit që ka humbur zgjedhjet. E ka administruar me dinjitet humbjen e tij.  Por pas 23 vjetësh në politikë s’mund të largohesh brenda ditës.
Babaramo: Po Nano u largua.
Shehi: PS mirë apo keq ka pasur ca rryma, korrente, jo se Nano ka qenë më demokrat, por më pak i zoti për të kontrolluar situatën. Ka pasur një atmosferë, që PD nuk e ka pasur. Uroj ta ketë në vazhdim. Por largimi i Berishës do jetë real. Po futen lojtarë të tjerë.
Rakipi: A të kanë bërë ftesë për të qenë brenda PD-së apo a e ke menduar koalicionin me të majtën?
Shehi: Unë jam në linjën time, mbetem te qendra e djathtë. Kam punuar në një kohë që nuk njiheshin llume të hajdutllikut. Jam në politikë 20 vjet pa qenë në pushtet. Do isha karagjoz, idiot, të bëhesha 50 vjeç socialist. Berisha më ka thënë hajde vetë në PD. I kam thënë: "Falemnderit! Kjo gotë u thye". Ndërsa të majtët tek e majta, të djathtët tek e djathta. Mua më takon këtej.
Babaramo: Ka mundësi për reformatim të së djathtës?
Shehi: Atë shpresoj. Të them sot, dy javë pas humbjes se ç'do të ndodhë në PD, i bie të jem shenjtor politik. Nuk e marr përsipër. Është proces dhe do minimalisht 2 vjet, pasi janë zgjedhjet lokale dhe do shohim aty se ç’është bërë me PD.
Babaramo: Cila është e djathat në PD?
Shehi: E djathta është një pjesë e mirë e PD. Pjesa tjetër grupet e vogla tradicionale, që mund të shkrihen në një front të përbashkët (jo detyrimisht me shkrirë partinë) përqark një programi dhe personazhesh. E pastaj do identifikohet qendra e djathtë post-Berishës.
Babaramo:Cili ju duket kandidatura që bën PD fituese: Basha apo Olldashi?
Shehi: Berisha ka menduar që më mirë t’i vëmë një kapak dhe më vonë mund të gjykohet dhe bëhen analizat. Rruga do jetë e gjatë, nuk zgjidhet thjesht me kryetarin e ri. Prova e parë me zgjedhjet. Këto dy vjet të shërbejnë për ta hapur PD ndaj qytetarëve, me këdo qytetar që do jetë.
Babaramo: Edhe pse Basha dhe Olldashi janë dy humbës të mëdhenj?
Shehi: Puna e dy humbësve në një parti. Berisha bëri mirë që i mori përsipër përgjegjësitë, që të rinjtë t’i çlironte nga kjo lloj përgjegjësie. Ku do ta gjejë PD, do ta marrë nga rrethet? Të gjithë kanë humbur. Ku do ta gjejë atë lider, që nuk ka peshë në humbje?!
Rakipi: Unë them se janë të barabartë. Jam dakord që është një variant, që duhej bërë kjo zgjedhje, e kandidatëv edhe pse me humbje, që PD mos kishte probleme. Duhet të nënvizojmë një moment të rëndësihëm: Berisha ka qenë ndër të paktët që ka menduar se fare pranë tij ishte humbja. Për herë të parë në politikë ka lëshuar frazën: do respektojë vendimin e sovranit.
Babaramo: E ka thënë edhe në vitin 994.
Shehi: Po, por më pas nuk ka lëshuar asnjë frazë tjetër të tillë. Berisha ofroi Bashën si numrin 2 të fushatës pas tij. I ngarkoi edhe Tiranën. Udhëhoqi fushatën politike në Tiranë, ndërkohë që kishte edhe bashkinë.
Babaramo: Berisha tha garantoj një proces pa mbështetjen time, jam i larguar. A do kemi gjithmonë pas kryetarit të ri të PD, një Berishë, që tërheq fijet?
Shehi: Një personazh si Berisha pa tërhequr fijet nuk rri. Por për herë të parë në PD po bëhet garë. Herë të tjera nuk është bërë garë. Pjesa tjetër ka qenë njëlloj farse. Basha ka njëlloj avantazhi, por kjo nuk vjen nga dashuria e Berishës, se edhe Olldashin e do Berisha. Avantazhi, nëse mund të gjykoj nga jashtë, është se Basha është kryetari i bashkisë dhe piramida politike do bashkinë. Edhe Rama erdhi nga bashkia, jo nga strukturat e partisë, nuk ishte as anëtar partie, ishte djalë i ri, modern, me vizion, gjë që në njëfarë mënyre edhe Basha e ka prodhuar. Në mënyrë instiktive shkon dora te Basha. Edhe sikur të isha unë në vend të Berishës do bëja zgjidhje pragmatiste, nuk ka gjëra ideale. Se po të ishte për idealizma do u ishin futur analizave, por duan ta mbyllin shpejt. Imagjino sikur PD-në ta merrte kryetari i PD në Burrel. Burrë i zoti, i dhënë pas PD, por ç’vlerë ka kjo për PD?
Babaramo: Nuk më thatë se kush e sjell më shpejt në pushtet PD-në, Basha apo Olldashi?
Shehi: Nuk kam emra, por proceset demokratike brenda PD, hapja e PD, pasja e një partie pa pasur frikë për t’i ndarë njerëzit në miq dhe armiq, që të ketë shpirtin e garës, që nuk monopolizohet, për ta pranuar sistemin.
Rakipi:Nuk di të them sa kohë do rri PD në opozitë, nuk ka emër në këtë rast. Nuk dimë a do konkurrojë pas 2 vjetësh Basha në zgjedhje lokale.
Shehi: Shpresoj që PD të bëhet më kolegjiale, të mbledhë apo prodhojë, se nuk është fotografi gjimnazi, që mbledh ata që kanë 20 vjet. Ka fytyra që s’do t;’i kisha vënë as drejtorë shkolle.
Të prodhojë ide, të rezistosh me ide të ndryshme. Jo duke sulmuar sharë mazhorancën me gërthitë nuk është më e mjaftueshme. Ngritja e kësaj opozitë bëhet nga raporti me mazhorancën.
Babaramo: Mendoni se kryetari i ri i PD do ketë nga pas gjithmonë Berishën?
Shehi: Berisha do jetë njëlloj patriaku i PD se edhe i takon, ka qenë edhe 2 herë president, edhe pse jo i lavdishëm, edhe dy herë kryeministër edhe me humbje jo të lavdishme si kjo e fundit. Por koha prodhon njerëz të rinj, që mund t’i prodhojë jo me ato dimensione.
Kjo mazhoranca ka shanse se ç’sjellje ndaj pushtetit dhe demokracisë. 8 vjet Ramës i mjaftojnë për të realizuar idetë e tij. Më shumë se 8 vjet s’ka pse të rrijë, as ai, as kryetar bashkie.
Rakipi: Irani, vend diktatorial apo edhe Kina dhe nuk e lejojnë mandatin mbi 8 vjet.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)