TIRANE- Fryma e Re Demokratike synon që për Qarkun e Tiranës të marrë 5 deri në 6 deputetë. Kështu është shprehur një nga figurat e njohura të kësaj force politike, Saimir Shehri.
 
Shehri është i treti në listën e kandidatëve për deputet në Tiranë. Gjatë intervistës për Tv “A1 Report”, Shehri shprehet se “pretendimet e FRD-së për t’u përfaqësuar në Parlament denjësisht nuk janë elektorale, por partia në të cilën ai merr pjesë, do të sjellë një alternativë të re për qytetarët të cilët janë lodhur nga qeverisja e deri tanishme".

“FRD futet në zgjedhje për të marrë një rezultat dinjitoz dhe ndoshta dhe shumë të papritur nga qytetarët dhe nga vetë qarqet politike. Ne jemi një parti e re dhe nuk kemi shumë resurse të mëdha financiare, siç po shikojmë rëndom si po shpenzohen sot nga partitë e mëdha, që janë të dala nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Është një parti që do të përcjellë në politikën shqiptare një frymë të re dhe një politikë e cila ka munguar tash e 23 vjet, të cilën të gjithë e dinë që është një politikë konfliktuale”, u shpreh Shehri.

Ndërsa u bën apel qytetarëve që të votojnë Frymën e Re Demokratike, Shehri është shprehur se kjo force do të zgjidhë një sërë problemesh të qytetarëve, duke sjellë si shembull edhe një nga shqetësimet e kryeqytetit.

“Ne do të marrim përsipër të zgjidhim shumë probleme, po flasim për qytetin e Tiranës. Një problem që unë dëshiroj ta them sepse është një ndjenjë shumë e madhe e qytetarëve të Tiranës, është futboll “Klub Tirana”. Përgjegjësia është kryesisht dhe e vetme tek Bashkia, tek Kryetari i Bashkisë, i cili nuk ka ndërmend të merret me “Klubin e Tiranës”. E kanë privatizuar dhe kthyer në një shoqëri aksionare”, theksoi deputeti i FRD-së.

Saimir Shehri, i cili më parë ka qenë një nga figurat e Partisë Demokratike është shprehur më tej se “largimi nga kjo forcë është bërë për çështje parimesh”, ndërsa ka shtuar se “FRD ka struktura të konsoliduara në të cilat marrin pjesë rreth 12 mijë anëtarë nga të cilët 2500 janë të rinj”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)