TIRANË -  Një nga figurat më të njohura të PD-së, Tritan Shehu, e ka gjykuar Partinë Socialiste për “hermetizim”, duke paralajmëruar se ky është tipar i “sistemeve autokratike, sekteve të ndryshme apo shtepërsisë.”
 
Vlerësimin e tij, Shehu e ka bërë në profilin e tij në Fb, ku duket qartë se është shumë aktiv dhe i përfshirë në komunikim me mbështetësit e tij.
 
“Çfarë u bë në Shkodër?”- pyet Shehu duke iu referuar takimit të Ramës me anëtarët e kabinetit të ardhshëm.
 
Dhe, po vetë, përgjigjet: “Askush nuk e di. Një mbledhje e filluar mbas një zhurme të fortë mediatike dhe e përfunduar në heshtje. Ky ishte takimi i Kryeministrit dhe ministrave të ardhshëm të majtë në atë qytet.

Dy ditë të mbyllur në një sallë pa transparencë,  asnjë komunikim për publikun! Fillim jo i mirë ky i Qeverisë së ardhshme, së paku në detyrimin që ka për t’u bërë të ditur njerëzve se kush janë hallet e këtij vendi, prioritetet e saj, mënyrat e përballimit të tyre. Kjo është esenciale në demokraci.
 
Hermetizimi është tipar i sistemeve autokratike, i sekteve të ndryshëm apo i shterpësisë,”- thekson ai, duke përfunduar me fjalët” “Shpresoj të hiqet dore sa parë nga kjo metodë pune, që nuk i shërben askujt.”
 
Redaksia online
(Armanda Shtëmbari/Shqiptarja.com)