TIRANE- Ish-kryetari i PD, njëherësh ish-zv.kryeministër dhe Ministër i Jashtëm në qeverisjen e parë demokratike, Tritan Shehu, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se procesi i vetëpastrimit të politikës shqiptare nga elementët e ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit duhet të vijojë. Ndonëse sipas tij, në PD ky proces ka vazhduar ndër vite dhe për të, partitë e tjera politike duhet të marrin shembull. Shehu pavarësisht se ka nënvizuar faktin se si zyrtar i lartë shtetëror ka dijeni për shumë gjëra në këtë drejtim, ai respekton ligjin dhe nuk do të përmendë me emër asnjë të përfshirë në Sigurimin e Shtetit të asaj kohe.

Nga ana tjetër ai është shprehur dhe në lidhje me dorëzimin e mandatit të deputetit nga ana e ministrave të qeverisë së Ramës, duke deklaruar se nuk është veprim normal, pasi i vë ata nën presionin e kryeministrit. Ai thotë se në vendet demokratike, një gjë e tillë zgjidhet duke ia ruajtur vendin e deputetit, pas largimit të mundshëm nga posti i ministrit. Shehu nuk ka preferuar të flasë për arrestimet e fundit për korrupsion të zyrtarëve të lartë, duke ia lënë drejtësisë gjithçka për ta zgjidhur.
 
Eshtë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare, apo e thënë më thjeshtë hapja e dosjeve për ish bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit. Mendoni se duhet bërë një ligj real për hapjen reale të dosjeve të diktaturës?
Partia Demokratike si partia e parë opozitare me kontribut të drejtëpërdrejtë në rrëzimin e diktaturës 45 vjeçare komuniste në Shqipëri, ka qënë gjithnjë për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri. Ajo që mund të them është se hapja e dosjeve pas kaq shumë vitesh, nuk e ka më atë rëndësi reale konkrete që mund të kishte në fillesat e demokracisë, por vazhdon të ketë rëndësi morale për të sqaruar të kaluarën.

Është një e drejtë e çdo individi për të ditur se çfarë ka ndodhur me të në në të kaluarën dhe kjo është një praktikë dhe përvojë që e kanë realizuar dhe vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste. Aq më shumë sot, ku tashmë është e drejtë e të gjithë qytetarëve shqiptarë për të njohur mekanizmat e atij regjimi kriminal që sundoi me dorë të hekurt për 45 vite Shqipërinë.
 
Politika shqiptare ka ende njerëz që kanë qënë të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit të asaj kohe...?
Unë nuk mund të bëj asnjë prononcim publik në lidhje me emra të përveçëm, pasi realisht është një veprim kundër ligjit. Pavarësisht se unë për shkak të funksionit që kam pasur në strukturën më të lartë shtetërore, mund të di shumë gjëra konkrete. Ajo që mund të them është se Partia Demokratike për 20 vite me radhë ka organizuar një proces të vetëpastrimit të brendshëm, të bazuar mbi ligjet e asaj kohe. Fatkeqësisht jo të gjithë e bënë këtë proces dhe jo më tej gjithmonë u vazhdua në këtë rrugë, për vetëpastrimin e brendshëm nga elementë të tillë të ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit.
 
Janë lëshuar shumë akuza në drejt të ish-qeverisë së kaluar, ndërsa janë ndaluar apo arrestuar zyrtarë të lartë të saj, përmendim rastin e bashkiakut Mziu etj. Komenti juaj?
Unë nuk kam ndonjë koment për këtë që po pyesni ju. Përderisa gjykatat shqiptare ende nuk kanë dhënë një vendim të formës së prerë, duhet t’i konsiderojmë të pafajshëm. Unë kam besim të plotë te drejtësia shqiptare se do të zgjidhë gjithçka me drejtësi, megjithë problemet që mund të ketë ajo.
 
Ministrat e kabinetit qeveritar po japin dorëheqje nga mandati i deputetit duke mbajtur vetëm postin e ministrit, kjo për të shtuar efikasitetin dhe përqëndrimin në detyrën e lartë që mbajnë në shërbim të qytetarëve dhe shtetit shqiptar. Komenti juaj?
Ministrat shqiptarë po e dorëzojnë mandatin e deputetit. PS po e paraqet këtë si një risi pozitive, ndarje funksionesh, më shumë mundësi për t’iu dedikuar ekzekutivit. Deri këtu jam dakort. Por nuk thuhet se më tej kjo po dobëson politikisht ministrat e kabinetit qeveritar. Ministrat janë personalitete veçse politike, në një qeveri politike. Kjo i kthen ata në figura të “dobëta”, në një formë “teknicienësh vulnerabel” të komandueshëm lehtësisht nga Kryeministri. Po ai vetë, pse nuk e dorëzon atë mandat deputeti?! Thuhet se kjo është praktikë dhe e disa vendeve të tjera.

Dakord jam, pasi ka disa vende që e aplikojnë një variant të tillë. Por nuk thuhet se pikërisht për të mos dobësuar ministrat e për t’i lejuar ata të punojnë më shumë, shumica e atyre vendeve kanë dhe një klauzolë tjetër: Ministrat nëqoftëse largohen nga posti ministerial, rimarrin sërish mandatin e deputetit. Dhe ky është çelësi për të mos u handikapuar ata. Maxhoranca e majtë dëshiron dhe realisht po i handikapon ata tashmë. Kjo duket qartë.
 
Shkrimi u publikua sot (27.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)